Lajmet e fundit

Delegacioni i GGD-ës zhvillon takime me personalitet të larta të Senatit dhe të Parlamentit në Mbretërinë e Holandës

E Enjte, 27.06.2013




Një delegacion i Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës i përbërë nga znj. Teuta Sahatqija, znj.Alma Lama dhe znj. Donika Kadaj Bujupi, që gjendet për vizitë në Holandë, po zhvillon takime të ndryshme me përfaqësues të këtij shteti. Në takimin me kryetarin e Senatit,z. Fred de Graaf dhe sekretarin e përgjithshëm z. Geert Jan-Hamilton, grupi i Grave Deputete, pasi shprehu falënderime për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi, bisedoi lidhur me situatën aktuale në Kosovë duke ngritur çështje të problemeve në veri të Kosovës, të implementimit të marrëveshjes dhe sfidat e saj. Po kështu u prezantua puna e Grupit të Grave Deputete në shumë fusha, si: në ekonomi, pjesëmarrjen politike, media, etj. Kreu i Senatit, z. Fred de Graaf, deklaroi se Holanda do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në të gjitha aspiratat e saj, e veçanërisht në aspektin e anëtarësimit në BE. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave ai u pajtua se Kosova nuk duhet të mbetet i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka përfituar nga ky proces.
Gratë deputete të Kuvendit të Kosovës zhvilluan gjithashtu një vizitë edhe në Parlamentin e Holandës. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, znj. Anouchka van Miltenburg, e përshëndeti delegacionin e Kosovës, i cili mori pjesë në seancën parlamentare, duke çmuar lart punën e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, si një grup unik, i cili po përpiqet me sukses të sjellë ndryshime në shoqëri. Përfaqësueset e GGD-ës patën takime edhe me zv.kryetaren e Dhomës së përfaqësuesve,znj. Khadija Arib, me sekretaren e përgjithshme, znj. Jacqueline Biesheuvel-Vermeijden, si dhe një drekë pune me grupin e parlamentarëve nga Komisioni për Arsim, Shkencë e Kulturë. Me këtë rast u ngrenë çështje të tilla, si: ajo e rritjes së rolit të gruas në shoqëri, shfrytëzimi i potencialit të rinisë së Kosovës, si dhe investimet e huaja. Çështja e mbështetjes së Holandës për shtetin e Kosovës u diskutuan edhe në takimin me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Holandës. Përfaqësues të kësaj ministrie garantuan se Holanda do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në vitet e ardhshme, sidomos në lëmin e sundimit të ligjit.
Gjatë vizitës në Hagë, përfaqësueset e GGD-së zhvilluan takime edhe me udhëheqëset e Këshillit Holandez të Grave - Nederlandse Vrouwenraad, me përfaqësuesit e Lartë të OSBE-së për të drejtat e pakicave, si dhe me ata të institucionit të Ombusdsman-it në Holandë.

 

 

 

Delegacioni i  GGD-ës zhvillon takime me personalitet të larta të Senatit dhe të Parlamentit në Mbretërinë e Holandës