Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi ...

E Mërkure, 26.06.2013




Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, drejtori i Institutit për Shëndetësi Publike (ISHP) Naser Ramadani, si dhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarinës (AUV) Valdet Gjinofci, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor folën për përhapjen e sëmundjes së etheve hemorragjike nga rriqrat dhe masat që janë marrë në tejkalimin e situatës së krijuar prej tyre.

Kryetari i Komisionit Nait Hasani, duke shprehur shqetësimin për përmasat e kësaj problematike, vlerësoi se duhet shtuar kapacitetet e të gjithë mekanizmave relevant në parandalimin dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve që po rrezikohen nga rriqrat, veçanërisht në Komunën e Malishevës.

Ministri i MSH-së Ferid Agani, ndërkaq, duke folur rreth kësaj çështje, vuri në dukje angazhimet e Ministrisë që ai drejton. Ai fillimisht hodhi poshtë pohimet e shfaqura në disa media se kjo ministri ka reaguar me vonesë, ndërsa vëmendje i kushtoi edhe faktit se sukseset në luftimin e rriqrave janë të kufizuara, për shkak se paraqitja e tyre është shumë komplekse dhe paraqet problem për të gjitha vendet ku ato paraqiten. "Ethet hemorragjike në territorin e Kosovës janë paraqitur qysh në vitin 1956 në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës", tha ai, dhe shtoi se pas kësaj kemi pasur vetëm raste të paraqitura në mënyrë sporadike deri në periudhën e pas luftës, veçanërisht në muajt e verës që koincidon me ciklin biologjik të zhvillimit të rriqrave. Duke paraqitur dinamikën e kësaj sëmundje në vendin tonë, ministri në vijim solli një pasqyrë të rasteve të evidentuara që nga pas lufta e deri më sot. Me këtë rast, sipas të dhënave që ministri Agani shpalosi, rezultonte se nga viti 2001 e deri më sot në vendin ton nga ethet hemorragjike kanë humbur jetën 26 persona. Duke folur për angazhimet e Ministrisë që ai drejton, ministri Agani me këtë rast përmendi kontributin që është duke dhënë kjo Ministri në zbulimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike. Këtë kontribut tha ai, jemi duke e dhënë në pjesëmarrjen e Kosovës, përkatësisht Ministrisë dhe Institutit të Shëndetit Publik në projektet Pan-evropiane në zbulimin e vaksinës kundër rriqrave, përkatësisht kundër virusit i cili zhvillohet në Kosovë. Ai në vijim foli edhe për nevojën e organizimit të fushatave mediatike dhe rëndësinë e paraqitjes me kohë pranë enteve shëndetësore. Ai po ashtu foli edhe për Strategjinë për zhdukjen dhe parandalimin e sëmundjeve që shkaktojnë rriqrat. Kjo strategji tha ai, është miratuar në vitin 2007 dhe implementimi i saj ka një kosto prej afër 19 milion euro, ndërsa, për këtë vit tregoi se Ministria ka ndarë 156 mijë euro.

Për këtë problematikë, në vijim foli edhe drejtori i ISHP-së Naser Ramadani. "Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë janë në teren tër kohën duke koordinuar aktivitetet e dezinfektimit selektiv në katër komuna (Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë)", tha Ramadani. Prej marsit 2013 e deri më sot, njoftoi në vijim ai, në IKSHP janë raportuar 2551 pickime nga rriqrat, ku 13 prej tyre janë sëmurë me ethet hemorragjike Krime- Kongo, ndërsa, pesë prej tyre kanë humbur jetën. Ai, po ashtu njoftoi se ky Institut në Kosovë ka identifikuar 112 "vatra" të rriqrave dhe shtoi se nga Instituti janë angazhuar 40 punëtorë sezonal, ndonëse në aspektin e kompetencave kjo veprimtari i takon Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës, tha Ramadani.

Lidhur me aktivitetet e AUV-it, ndërkaq, njoftoi drejtori i këtij Agjencioni, Valdet Gjinofci. Ai fillimisht foli për bashkëpunimin e mirë që kanë me ministritë relevante dhe Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkaq, rreth angazhimeve konkrete gjatë këtij viti, vuri në spikamë ndihmën e ofruar komunës së Malishevës prej 150 kg. dezinfektant dhe 300 dozave të serumit për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë. Pas kësaj folën anëtarët e Komisionit, të cilët kërkuan angazhim edhe më të madh nga Ministria, Instituti dhe Agjencioni.

Sipas deputetit Sali Morina, dezinsektimi selektiv i zonave të dyshuara nuk është efikas, ndërkaq, deputeti Liburn Aliu u angazhua për koordinim edhe më të madh në mes të institucioneve relevante.

Nga Komisioni për Bujqësi ...