Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 26.06.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shqyrtuar sot në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, si dhe një varg raportesh.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi mbledhjen, vlerësoi se projektligji përmban plotësim-ndryshime në pjesën tekstuale dhe tabelare të ligjit, duke reflektuar rialokime brenda organizatave buxhetore.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, duke prezantuar projektligjin para komisionit, u fokusua në disa aspekte përmbajtësore të tij, si: fondi kontigjent për të ish-burgosurit politikë, mjetet për krijimin e komunave të reja, themelimi i Fondit zhvillimor të mirëbesimit etj.
Themelimi i këtij fondi ishte njëra nga pikat kryesore të diskutimeve edhe nga ana e anëtarëve të komisionit, të cilët shfaqën mendime të ndryshme përkitazi me mënyrën e funksionimit të tij.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij në parim.
U përkrahën, gjithashtu, raporti me rekomandime i grupit punues të komisionit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116, si dhe raporti me amendamente për Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Në vazhdim, u shqyrtuan raportet plotësuese për Projektligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor dhe Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike, të prodhuara në Kosovë. Komisioni vendosi që të qëndrojë prapa rekomandimeve të veta fillestare përkitazi me këto dy projektligje.
Në këtë mbledhje u përkrahën edhe dy raporte financiare për vitin 2012: raporti financiar vjetor i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe ai i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.