Lajmet e fundit

Diplomati i dorëhequr, Peci, raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme

E Mërkure, 26.06.2013




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka organizuar sot dëgjim me ish-ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë dhe ish-shefin e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Beograd, z .Lulzim Peci.

Diplomati i dorëhequr, Peci, ka shpjeguar fillimisht gjithë historinë e punës së tij si ambasador rezident në Suedi dhe si ambasador jorezident në pesë shtete të tjera skandinave dhe baltike, duke theksuar me këtë rast punën e madhe dhe të lavdërueshme që ka bërë për krijimin e kanaleve kredibile për komunikim me ministritë e jashtme dhe dikasteret e tjera qeveritare të vendeve pranuese, por edhe me Parlamentin e Suedisë. Ai ka përmendur vizitat që ka iniciuar dhe organizuar për kryeministrin Thaçi dhe për disa ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës në Suedi e vende të tjera përreth.

Peci ka theksuar, ndërkaq, se puna e tij ka qenë e vlerësuar, prandaj edhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj e ka lutur, këtu e gjashtë muaj më parë që, si njëri ndër ambasadorët më të suksesshëm të Kosovës, ta pranojë detyrën e shefit të Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Beograd, që i është përgjigjur pozitivisht. Ai pastaj e ka shpjeguar gjithë ecurinë e përfundimit të detyrës së ambasadorit në Stokholm ( më 13 qershor), dekretimin nga presidentja Jahjaga për detyrën e re në Beograd, ka shpjeguar detajisht gjithë itinerarin e udhëtimit në Beograd ( më 17 qershor), vendosjen në zyrën e tij në kuadër të Zyrës së Misionit të BE-së atje, si dhe për rrugën e kthimit në të njëjtën ditë, kur edhe i ka raportuar ministrit Hoxhaj. Peci ka pohuar se nga kabineti i kryeministrit Thaçi i ishte sugjeruar që të jepte deklarata për mediat e shkruara dhe elektronike në Beograd, që edhe e kishte bërë.

Ai pohon se në të njëjtën mbrëmje, me një mikun e tij, kishte dalë për të pirë një kafe, ku në një lokal ishte takuar , rastësisht, kryeministrin Thaçi, i cili shoqërohej nga tre ministra resoresh. Kritika gojore e Kryeministrit Thaçi për deklaratat publike të diplomatit të sapoemëruar në kryeqytetin serb, Peci thotë se kanë qenë shkak për dorëheqjen nga posti i shefit të Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

" Pas kritikave të kryeministrit për deklaratat e mia publike lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më nuk kam qenë i sigurt se në çfarë ambienti politik të Kosovës po veproj", ka deklaruar Peci para anëtarëve të komisionit.

Kryetari i Komisionit Albin Kurti i ka shtruar pyetje të shumta diplomatit të dorëhequr, Lulzim Peci, për anën ligjore të emërimit të tij në detyrën me shumë emërtime nga prizmi i Kosovës, i Beogradit, apo i Brukselit, pastaj e ka pyetur nëse ka marrë rekomandime me shkrim apo me gojë për detyrën në Beograd, si dhe nëse shkaktar i dorëheqjes ka qenë kritika, fyerja eventuale, apo ndonjë veprim tjetër i kryeministrit.

Peci e ka pranuar se detyrën e ka marrë konform Marrëveshjes për Aranzhmanet Ndërlidhëse ( të arritur bë bisedim et e Brukselit) dhe se emërtimet për detyrën lidhen me fjalorin e përdorimit publik të këtyre qendrave. Ai ka theksuar se nuk ka pasur asnjë vërejtje në punën e tij prej diplomati deri në ditën kritike të 17 shkurtit, por ka thënë gjithashtu se nuk ka pasur kurrfarë rekomandimesh për qëndrimin që duhet mbajtur dhe për punën e tij në Beograd.
Dorëheqja dhe mënyra e bërjes publike të saj e ka dëmtuar rëndë imazhin e diplomacisë së Kosovës, ka theksuar nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, duke tërhequr vëmendjen se gjithë kjo është zhvilluar, jo në mënyrë institucionale, por në një takim joformal, të rastësishëm, në kafene."Si shumë rastësi për një takim joformal me pasoja të rënda", ka ironizuar Hamiti.

Nënkryetari tjetër i Kuvendit, Petar Miletiq, ka thënë se emërimi dhe shkarkimi i diplomatëve është punë e ekzekutivit të vendit, por është shprehur i befasuar me një pjesë të deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, që e fajëson diplomatin Peci pse në Beograd ka folur në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës ( serbisht).

Në pyetjen e Emilia Rexhepit nëse veprim i z. Peci e dëmton imazhin e diplomacisë së Kosovës, raportuesi është përgjigjur se në fakt imazhin e kësaj diplomacie e ka dëmtuar më së shumti deklarata e vetë MPJ-së.

Nënkryetari i Komisionit, Enis Kervan, ndërkaq, ka theksuar se kolegët e tij do të duhej të merreshin me veprimet institucionale dhe jo me pasojat e takimeve joformale nëpër kafene.

Duke e falënderuar për pjesëmarrje dhe gatishmërinë për të raportuar para anëtarëve të Komisionit, Albin Kurti ka theksuar se për këtë çështje dhe për çështje të tjera të funksionimit të diplomacisë së Kosovës , do të thirren të raportojnë kryeministri Thaçi dhe ministri Jashtëm, Hoxhaj.

Diplomati i dorëhequr, Peci, raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme