Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 25.06.2013




Privatizimi i 75 % të aksioneve të PTK-së, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri.

Në fillim të debatit, kryetari i Komisionit Zenun Pajaziti, sqaroi se dëgjimi i sotëm është organizuar për t'u njoftuar nga afër me procesin e privatizimit, para se kjo temë të debatohet në mbledhje plenare të Kuvendit. Lidhur me këtë proces, tha në vijim Pajaziti, Komisionit i është ofruar edhe Raporti i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, andaj debati i sotëm është rast i mirë për të shqyrtuar edhe atë, tha ai.

Duke folur për procesin e privatizimit të këtyre aseteve të PTK-së, ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave Besim Beqaj, fillimisht tha se procesi ka qenë në harmoni me ligjet në fuqi dhe është zhvilluar me transparencë të plotë. "Privatizimi është bërë mbi bazën e Ligjit për ndërmarrjet publike, ndërsa para çdo vendimi është konsultuar këshilltari i transaksioneve", tha Beqaj. Ai tutje po ashtu njoftoi se në procesin e privatizimit nuk janë përfshirë as një nga asetet fizike të PTK-së, ndërkaq, punëtorët do të vijojnë së punuari edhe për tre vitet e ardhshme nga momenti i nënshkrimit të kontratës në mes të PTK-së dhe fituesit të ofertës- AXSOS.

Procesin, dhe privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, të favorshëm për vendin e vlerësoi edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli. Pasi foli për krijimin e kushteve të ekonomisë së lirë të tregut dhe fuqizimin e sektorit privat, Ismajli tha se rruga që po ndjek Kosova është rruga të cilën e kanë trasuar të gjitha vendet e zhvilluara. Ministri i MZHE-së, rëndësi të veçantë i kushtoi edhe përfundimit me sukses të të gjithë procesit, sepse, sipas tij, përfundimi pozitiv i këtij procesi do të vlerësohet nga investitorët dhe të interesuarit e tjerë për këtë proces. "Duhet të përpiqemi të ndërtojmë imazh pozitiv duke shfaqur përkushtimin tonë për ekonominë e lirë të tregut", tha ai.

Transparent e të dobishëm, privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, e vlerësoi edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Ai po ashtu, vlerësoi edhe kujdesin e treguar nga Qeveria për të punësuarit në PTK, që sipas tij është e arritur e madhe gjatë këtij procesi. Ministri Rashiq, foli edhe për kujdesin që është duke treguar kjo ministri për rikualifikimin e punëtorëve të PTK-së pas skadimit të kontratave tre vjeçare në PTK. Edhe Sandra Rath, përfaqësuese e këshilltarit të transaksioneve, vlerësoi se procei i privatizimit është zhvilluar me transparencë të plotë, ndërsa nënvizoi se privatizimi i PTK-së nuk e dëmton ekonomin e vendit. Për përfituesin e ofertës (AXSOS), Rath se është me renome ndërkombëtare. Kosova, tha në vijim ajo, nuk po e shet postën, por vetëm disa asete të saj.

Gjatë debatit, ndërkaq, deputeti Visar Ymeri (VV), kontestoi ligjshmërinë e privatizimit të PTK-së. Duke e konsideruar të jashtëligjshëm këtë proces, Ymeri vuri në dukje edhe parregullsi të tjera, të cilat nxitën reagimin e ministrit, Beqaj. Për sa i përket ligjshmërisë, ministri Beqaj iu referua nenit katër të Ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës të vitit 2011 dhe hedhjen poshtë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të mocionit të ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje për ndalimin e privatizimit të PTK-së.

 

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...