Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Hënë, 24.06.2013
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Fikrim Damka, kryetar, ka diskutuar për shkresën e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, drejtuar kryetarit të Kuvendit, për tërheqjen nga procedura parlamentare të Projektligjit për transplantimin e organeve.
Në letrën e ministrit Agani, të cilën e lexoi kryetari Damka, thuhej se tërheqja e projektligjit bëhet në funksion të elaborimit më adekuat ligjor të kësaj problematike shëndetësore, duke pasur parasysh diskutimet gjatë procedurës parlamentare dhe debatin përcjell publik.
Anëtarët e komisionit vlerësuan të drejtën e ministrit për tërheqjen e projektligjit, megjithatë, pati edhe pakënaqësi, për faktin se, siç u tha në mbledhje, kjo tërheqje po bëhet në kohën kur komisioni ka përfunduar të gjithë punën në amendamentimin e projektligjit.
Në vazhdim, komisioni diskutoi edhe për disa çështje të tjera lidhur me agjendën e punës gjatë ditëve dhe javëve në vijim.