Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 24.06.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e rregullt parlamentare të mbahet
të enjten, më 27 qershor.
Në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit të saj. Ka pasur qëndrime të ndryshme nëse marrëveshja duhet quajtur ndërkombëtare dhe nëse duhet miratuar edhe Plani i zbatimit të saj, por ka dominuar mendimi që për këto çështjet mund të vendosë mbledhja plenare e Kuvendit.
Në vazhdim të seancës deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tregun dhe produktet e naftës në Kosovë. Do ta shqyrtojnë edhe, Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe Raportin e Punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2012.
Deputetët ndërkaq, si rëndom në seanca të rregullta, do të ngrenë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe do të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Po në mbledhjen e sotme të Kryesisë është tumir Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2014, në bazë të Qarkores së parë të Ministrisë së Financave 2014/01. Arsyetimin për këtë çështje e ka dhënë sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Kryesia është njoftuar për marrëveshjet ndërmjet Grupit Parlamentar "Ardhmëria e Përbashkët" dhe të atij të SLS-së për përfaqësim në organet e Kuvendit, e cila duhet të formalizohet nga seanca plenare e Kuvendit, si dhe ka lejuar udhëtimet e dy grupeve deputetësh në Belgjikë dhe Austri.