Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 20.06.2013
Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, pas shterimit të pikave të përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët përkrahën propozimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së
Serbisë, si dhe propozimin e kryetarit të komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu, që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i Raporti vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2012.
Më tej deputetët me shumicë votash mbështetën rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me rirregullimin e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave, si dhe shqyrtuan e përkrahën edhe raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2012.
Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2012, kryetari i komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, paraqiti rekomandimin e këtij komisioni për mosmiratim të raportit, meqë sipas tij, anëtarëve të këtij Këshilli u ka skaduar mandati që nga gjysma e vitit 2012. Me këtë rast ai tha se pengesë për këtë ka qenë ligji për Trashëgiminë Kulturore, i cili duhet të amendamentohet dhe të plotësohet, në mënyrë që të qartësohen procedurat.
Ndërkaq, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rekomanduar që të përkrahet ky raport.
Disa nga deputetët kërkuan që të gjenden urgjentisht mekanizma për kompletimin e bordit në KKTK, ndërkaq, u kërkua që të sillet në Kuvend me një procedurë të përshpejtuar Ligji për Trashëgiminë Kulturore.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, tha se Kuvendi ka kërkuar disa herë nga Qeveria që të bëjë propozimet e kandidatëve për kompletim të bordeve. Megjithatë, shtoi ai, komisioni përkatës është dashur të jap si rekomandim që të kërkojë zbatimin e ligjit ,i cili është në fuqi dhe kompletimin e bordeve në komisionet e pavarura. Dhe, nëse komisioni nuk është i kënaqur me ligjin, atëherë është dashur të kërkojë nga qeveria dhe ministritë amendamentimin dhe plotësimin e ligjit. Krasniqi vlerësoi se nuk e sheh aspak të arsyeshme faktin se për mungesë të bordit të mos miratohet raporti.
Raporti vjetor i punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2012, nuk u përkrah nga deputetët e Kuvendit.
Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe kërkesën për transferin e mjeteve buxhetore nga Ministria e Punëve të Brendshme në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën e paraqiti Ministri i MPB-së, si propozues i çështjes, ndërsa u sqarua se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rekomanduar miratimin e kësaj kërkese.