Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisaren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay

E Mërkure, 19.06.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim Komisaren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, me të cilën ka biseduar për gjendjen në Kosovë në aspektin e të drejtave të njeriut, të komuniteteve pakicë e të barazisë gjinore.

Kryetari Krasniqi e njoftoi Komisaren Pillay me zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë, potencoi të arriturat e vendit, por identifikoi edhe sfidat me të cilat ai përballet. Mosqenien e Kosovës anëtar i OKB-së dhe mosnjohjen e pavarësisë nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kreu i Kuvendit i konsideroi si pengesat dhe sfidat kryesore që Kosova ka në aspektin e jashtëm. Sfida kryesore të brendshme, ndërkaq, Krasniqi i konsideroi sundimin e rendit e të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë.

Në vazhdim, kryeparlamentari Krasniqi foli për bazën kushtetuese dhe ligjore që Kosova ka krijuar për garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Përkitazi me këtë, kryetari i Kuvendit u ndal te Kapitulli II i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton këto të drejta, ndërsa renditi edhe një varg ligjesh të kësaj fryme që Kuvendi ka miratuar gjatë viteve. Kreu i legjislativit e njoftoi komisaren e OKB-së edhe për përfaqësimin e komuniteteve pakicë në Kuvend dhe në të gjithë trupat e tij, për përfaqësimin gjinor, për transparencën e Kuvendit dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.

Komisarja e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, nga ana e saj, e përgëzoi kryetarin Krasniqi për punën që Kuvendi ka bërë në nxjerrjen e legjislacionit përkitazi me të drejtat e njeriut, për përfaqësimin e komuniteteve dhe atë gjinor. Ajo shtroi nevojën e përgatitjes së një raporti për të arriturat, por edhe për nevojat dhe ndihmën që i duhet Kosovës në këtë drejtim.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisaren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi PillayKryeparlamentari Krasniqi priti Komisaren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay