Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 19.06.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, është shqyrtuar Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje.

Shumica e anëtarëve të këtij Komisioni (në mbledhje merrnin pjesë pesë nga nëntë anëtarë që i ka) kanë shprehur brengosjen e tyre për anashkalimin e Komisionit, si komision funksional, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni, ka theksuar se me Rregulloren e Kuvendit , Komisioni për Punë të Jashtme është komision funksional për marrëveshjet ndërkombëtare. "Nëse marrëveshja me Serbinë është ndërkombëtare atëherë Ministria për Punë të Jashtme është dashur që Komisionit t'ia sjellë tekstin e marrëveshjes, kurse Kryesia e Kuvendit është dashur ta autorizojë Komisionin që të përgatisë raportin me rekomandime", ka thënë Hyseni, duke tërhequr vëmendjen se miratimi eventual i kësaj marrëveshjeje nuk parakupton raporte të barabarta me Serbinë, por implikon marrëdhënie të dominionit. Ai ka këmbëngulur që marrëveshjet e Kosovës me Serbinë doemos duhet të arrihen konform Konventës së Vjenës për marrëveshjet ndërkombëtare. Hyseni ka mbajtur qëndrim që Komisioni duhet të kërkojë shtyrjen e miratimit në Kuvend të kësaj marrëveshjeje.

Donika Kadja Bujupi është shprehur skeptike për shumë elemente të kësaj Marrëveshjeje, e cila për çudinë e saj u është mbajtur e fshehtë edhe deputetëve. Ajo ka shprehur shqetësim për rëndësinë që i jepet anës së jashtme të marrëveshjeve ( fotografitë mediatike) e më pak përmbajtjes së saj, sidomos për pjesën e marrëveshjes që ka të bëjë me gjykatat në Asociacion e Komunave, të cilat , ka thënë ajo, do ta cenojnë rregullimin e brendshëm të vendit tonë.

Petar Miletiq nuk ka dashur të shprehë opinionet e tij politike lidhur me Marrëveshjen, por është pajtuar se ka pasur shkelje procedurale në komunikime institucionale me Kuvendin dhe me Komisionin. E të njëjtit mendim, ndërkaq ka qenë edhe Emilia Rexhepi, e cila për më tepër ka theksuar se për bisedimet është dashur të raportojnë kryeministri Thaçi dhe zv.kryemiunistrat Kuçi dhe Tahiri.

Kryetari i Komisionit , Albin Kurti, ka theksuar se tash e katër muaj janë ftuar të raportojnë në Komision për gjithë rrjedhën e bisedimeve me Serbinë kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj, por nuk u janë përgjigjur kërkesës së Komisionit.

"Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq nuk e ka formën e as formatin e marrëveshjes ndërkombëtare. Nuk është përnjëmend e nënshkruar , por vetëm e parafuar me iniciale në dy dokumente të ndara. Pra, njëri dokument mban inicialet e kryeministrit të Kosovës, Thaçi, e të Baroneshës Ashton, kurse tjetri të Baroneshës Ashton dhe kryeministrit të Serbisë, Daçiq. Në fakt, kjo marrëveshje është edhe më e varfër se kaq: të gjithë kanë vënë inicialet e tyre si persona, si individë, jo si krerë shtetërorë apo përfaqësues politikë" , ka thënë Kurti, i cili e ka quajtur gabim strategjik ngutjen për ratifikimin e marrëveshjes para se këtë ta bëjë Serbia dhe para se të vendosë Bundestagu Gjerman për çështjen e integrimeve evropiane të Serbisë. " Marrëveshja Thaçi-Daçiq nuk do të sjellë në Kosovë më shumë integrim, por më shumë segregim" është shprehur i prerë Kurti. Ai, ndërkaq, e ka quajtur shqetësuese pjesëmarrjen në bisedime të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura të Kosovës (Gjykata Supreme, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor dhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës), pa vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme Komisioni për Punë të Jashtme ka biseduar edhe lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, duke u përcaktuar edhe për emërimin e një eksperti, që do ta ndihmonte profesionalisht Komisionin gjatë mbikëqyrjes së Ligjit.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme