Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 19.06.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua raporti i Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2012.
Fillimisht, anëtarët e komisionit paraqitën vërejtjet e tyre lidhur me të gjeturat në këtë ministri nga ana e ZAP-it, duke kërkuar sqarime të shumta nga ministri i MASHT-it, Ramë Buja, si dhe nga përfaqësues të ZAP-it rreth adresimit të rekomandimeve nga vitet paraprake.
Para anëtarëve të komisionit foli zv/auditori i përgjithshëm, Artan Venhari, i cili mes tjerash tha se prej rekomandimeve të viteve paraprake MASHT-i ka adresuar dy rekomandime në tërësi, katër sosh janë në proces të adresimit dhe një nuk është adresuar fare. Megjithatë, ai ka shtuar se deri më tani kjo ministri ka realizuar një adresim të kënaqshëm dhe se ka shënuar edhe një përparim sa i përket pasqyrave financiare.
Ndërkaq, ministri i MASHT-it, Ramë Buja, gjatë raportimit të tij në komision tha se ministria planin e veprimit për implementimin e rekomandimeve e ka bërë në mënyrë të mirë dhe se MASHT-i është në proces e sipër të zbatimit të rekomandimeve.
Duke shpalosur me radhë të gjeturat e ZAP-it, si dhe duke folur për veprimet që ka ndërmarrë kjo ministri, ministri Buja përmendi mes tjerash mosrealizimin e të hyrave, si njëra nga të gjeturat e ZAP-it.
ZAP-i ka vërejtur një diferencë prej 4.500 eurosh si pasojë e mos harmonizimit të të hyrave në mes Universitetit të Prizrenit me departamentin e të hyrave në administratën qendrore në ministri. Sipas ZAP-it shpenzimet e UPZ-së në këtë rast tregojnë se të hyrat janë më të ulëta në shifrën prej 4.500 euro në krahasim me shënimet e administratës qendrore. Me këtë rast ministri Buja duke folur për veprimet e ndërmarra nga MASHT-i tha se diferenca prej 4.500 eurosh ekziston dhe se UPZ po bënë përpjekje që t'i barazojë dhe t'i rregullojë format e pagesave me të hyrat e raportuara në MASHT. Buja vlerësoi se ky problem ka ardhur për shkak se tek UPZ-ja bëhet barazimi i të hyrave sipas datës kur janë kryer pagesat në bankë, ndërsa në MASHT kjo bëhet sipas datës kur janë raportuar të hyrat nga banka. Ai tha se UPZ-ja e përkrah plotësisht rekomandimin e auditorit dhe janë zotuar se së bashku me MASHT-in do ta zgjedhin shumë shpejt këtë problem.
Një çështje tjetër që është ngritur nga thuajse të gjithë anëtarët e komisionit gjatë këtij takimi, ishte edhe e gjetura tjetër nga ZAP-i që ka të bëjë me procesin e furnizimit me libra. Sipas ZAP-it në këtë rast nuk ka pasur kontroll të mjaftueshëm gjatë pranimit të librave dhe në disa raste librat janë pranuar nga persona të paautorizuar, e po ashtu fakti se ka pasur sasi të tepërt të librave.
Duke folur rreth kësaj mangësie, ministri Buja, sqaroi se pas formimit të një komisioni ad-hoc të cilët kanë bërë evidentimin e librave është konstatuar se në shkolla kanë mbetur mbi 5 mijë tekste shkollore, ndërsa sqaroi se menaxhmenti i MASHT-it me të marrë këtë informacion, për tepricën e këtyre librave, ka ndërmarrë veprime konkrete për eliminimin e këtyre lëshimeve dhe ka formuar komisionin duke zvogëluar kështu edhe kërkesën për sasi të librave, si dhe është përpjekur që të gjejë modelin për kërkesat dhe shpërndarjen e librave.
"Ka pasur shpërputhje të numrave të nxënësve të dhëna nga komunat, për shkak të granteve që ata përfitojnë. Këtu kemi bërë përpjekje serioze për ta bërë punën pak më ndryshe, me theks të veçantë për të evidentuar numrin e nxënësve, por këtë nuk ia kemi arritur gjer në fund", tha Buja.
Pas këtyre sqarimeve të ministrit Buja, anëtarët e komisionit u dakorduan që MASHT-i deri në muajin shtator të këtij viti të sjellë në komision të dhënat e sakta të numrit të përgjithshëm të nxënësve në nivel të Kosovës.
Më tej anëtarët e komisionit përkrahën propozimin për organizimin e një punëtorie lidhur me bashkëpunimin e komisionit me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm që ka të bëjë me shqyrtimet e raporteve të auditimeve.