Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mbajti një ligjëratë në Kolegjin Universitar ISPE
E Marte, 18.06.2013
"Roli i faktorit ndërkombëtar në krijimin e shtetit të Kosovës" ishte tema e ligjëratës që kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot në Kolegjin Universitar ISPE, në Prishtinë.
Para studentëve, kryeparlamentari Krasniqi, fillimisht dha një pasqyrë të gjerë të zhvillimeve historike të Kosovës që nga vitet 1912-1913, duke vënë në pah përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, përgjatë dekadave. Ai piketoi ngjarjet kryesore që shoqëruan përpjekjet e shqiptarëve për liri.
Kryetari Krasniqi mes tjerash foli edhe për periudhën e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999, si dhe për ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Më tej ai u fokusua edhe në proceset dhe zhvillimet e pasluftës.
Me këtë rast, Krasniqi foli për rolin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe vendeve të BE-së, duke veçuar kështu koordinimin e Kosovës me miqtë e saj ndërkombëtarë, si dhe përkrahjen që ajo ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
Kreu i Kuvendit, dr. Krasniqi, tha se e vetmja rrugë për të gjithë shqiptarët është rruga drejt integrimit evropian dhe kjo rrugë sipas tij është në interes të të gjithë shqiptarëve dhe gjithë rajonit, ndërkaq, pas ligjëratës, Krasniqi u përgjigj edhe në pyetjet e shumta të studentëve të Kolegjit ISPE.