Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 18.06.2013
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari - Lila, ka raportuar sot në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për masat mbrojtëse në importe.
Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, i cili udhëhoqi mbledhjen, tha se ky raportim vjen pas takimeve që grupi punues i komisionit ka zhvilluar me përfaqësuesit e kompanive e të shoqatave të prodhuesve, si dhe pas dëgjimit publik me të gjitha palët e interesit, për t'u njohur me ecurinë e zbatimit të ligjit.
Duke bërë një prezantim të zbatimit të këtij ligji, ministrja Kusari - Lila tha se ligji në përgjithësi është zbatuar, por shtoi se janë vërejtur edhe disa probleme, duke cekur kuotën prej 25 për qind, që prodhuesit individualë duhet ta përmbushin për nevojat e tregut dhe kuotën prej 50 për qind për prodhuesit grupor. Ajo tha se këto kritere janë të vështira për t'u përmbushur në këtë përqindje kaq të lartë, qoftë nga prodhuesit individualë, qoftë nga aksionarët.
Në vazhdim, ministrja Kusari paraqiti në mënyrë kronologjike disa masa mbrojtëse ndaj importeve, të cilat, sipas saj, janë ndërmarrë nga MTI-ja, si: vendimi për çimenton, për mishin e pulës dhe për vezët. Por, ajo tha se mbeten ende sfiduese mbrojtja e prodhimeve bujqësore nga importuesit, për faktin se sipas saj, ende nuk ka të dhëna statistikore se sa mund t'i përmbushin prodhuesit vendorë kërkesat dhe nevojat e brendshme të Kosovës për produktet e bujqësore.
Anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh në adresë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, nga e cila kërkuan të dinë nëse duhet të fillohet me plotësim-ndryshimin e Ligjit për masat mbrojtëse në importe, nëse ligji u përshtatet rrethanave të vendit, se a do të mbrohen prodhuesit e produkteve bujqësore në të ardhmen etj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve dhe duke dhënë sqarime në komentet e tyre, ministrja Mimoza Kusari - Lila tha se me këtë ligj përcaktohen kushtet dhe rregullat e BE-së e të Organizatës Botërore për Tregti, prandaj, sipas saj, në disa raste duhet përmbajtur rregullave dhe jo gjithherë mund të marren vendime në favor të prodhuesve vendorë. Përkitazi me plotësim-ndryshimin e ligjit, ajo tha se po shqyrtohet mundësia e fillimit të procedurave për amendamentimin e atyre neneve që po paraqesin pengesa në zbatim.
Sa i përket prodhuesve bujqësorë, ajo tha se sa sapo ministria t'i ketë të dhënat statistikore se në cilën përudhë të vitit mund të përmbushen nevojat brendshme të konsumit, atëherë do të shqyrtojë mundësitë për marrjen e vendimeve për masat mbrojtëse nga importuesit, pa rënë ndesh me Marrëveshjen e CEFTA-s.
Kryetari i komisionit, Pajaziti tha se ky është takimi i fundit i paraparë në planin e punës nga ana e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe. Ai tha se grupi punues do ta këtë një mbledhje në të cilën do t'i shqyrtojë dhe analizojë të gjitha raportet e takimeve, si dhe transkriptin e dëgjimit publik, ndërsa më pas do ta hartojë raportin final me rekomandime, i cili pas miratimit në komision, do të procedohet në seancë plenare.