Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 17.06.2013




Edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare, të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje, meqë në mbledhjen e kaluar pati kritika nga komisioni për mos-harmonizimin e qëndrimeve lidhur me tekstin e marrëveshjes sipas gjuhëve (shqip, serbisht dhe anglisht), si dhe Plani i Zbatimit për këtë marrëveshje të mos jetë pjesë e ratifikimit në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë diskutimit rreth këtij projektligji anëtarja e komisionit Albulena Haxhiu edhe në mbledhjen e sotme ritheksoi qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Marrëveshjes dhe Planit për implementimin e saj, duke kërkuar sërish që mendimin për kushtetutshmërinë për këtë Projektligj ta japë Gjykata Kushtetuese.
Ajo propozoi që pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje të jetë edhe vlerësimi i kushtetueshmërisë pikë për pikë e kësaj marrëveshje dhe planit të zbatimit. "Pikë e rendit të ditës të hyjë vlerësimi i kushtetueshmërisë së këtij projektligji. Komisioni për Legjislacion nuk guxon që këtë projektligj ta dërgojë në seancë plenare me plot shkelje të Kushtetutës dhe Kuvendi duhet ta dërgojë këtë Marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetueshmërisë.", tha Haxhiu, derisa propozimi i saj nuk u mbështetë nga anëtarët e komisionit.

Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit, me shumicë votash ata përkrahën raportin me rekomandime të komisionit.
Me këtë rast Komisioni vendosi që Kuvendit t'ia paraqesë rekomandimin që të shqyrtohet dhe miratohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me amendamentet e propozuara, si dhe të harmonizohet versioni i marrëveshjes në gjuhën shqipe dhe serbe me version në gjuhën angleze.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit përkrahën edhe raportin me amendamentet e komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-170 për transplatimin e organeve, ndërkaq, nga rendi i ditës u hoq shqyrtimi i raportit me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-170 për skemat pensionale të financuara nga shteti.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion