Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 17.06.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë të enjte ( më 20 qershor) të mbahet seanca e rregullt parlamentare.

Në këtë seancë pritet të votohet për mocionin e propozuesit (deputeti Ramiz Kelmendi) të debatit parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave, të mbajtur në seancën e shkuar.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka insistuar që ratifikimi Marrëveshjes të bëhet të mërkurën ( më 19 qershor), në mënyrë që t'i paraprihet takimit të ri të kryeministrave, Thaçi- Daçiq.

Kryeparlamentari Krasniqi ka pohuar se për këtë nevojitet votimi paraprak i deputetëve për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit. Ismet Beqiri (LDK) është shprehur se ratifikimi nuk duhet ndërlidhur me takimin e Brukselit, kurse Visar Ymeri (VV) ka mbajtur qëndrim se Marrëveshja nuk duhet të vihet fare për ratifikim para se të vlerësohet përputhshmëria e saj me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në seancën e së enjtes do të shqyrtohet Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2012, Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2012, si dhe Raporti vjetor i punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2012.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet kërkesa për transferin e mjeteve nga Ministria e Punëve të Brendshme në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse deputetët, si rëndom në seanca të rregullta, do të kenë rastin të ngrenë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës