Lajmet e fundit

Reagim i GGD-ës ndaj keqtrajtimit të gazetares Salie Gajtani në Klinikën Gjinekologjike

E Premte, 14.06.2013




Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës shpreh shqetësimin për trajtimin jo human dhe jo profesional të mjekëve në Klinikën Gjinekologjike në QKUK ndaj gazetares Salie Gajtani, e cila kishte pësuar me rrezikim edhe të jetës në këtë Klinikë, ku kishte shkuar për të lindur fëmijën e saj.


GGD-ja duke konsideruar se stafi i Klinikës Gjinekologjike duhet ta kryejnë obligimet e tyre në pajtim me përgjegjësit që kanë, dhe të trajtojnë çdo pacient konform betimit të Hipokratit, shpreson që ky rast të jetë i izoluar .


GGD-ja pret që Ministria e Shëndetësisë , udhëheqja e QKUK-ës , udhëheqja e Klinikës Gjinekologjike do të angazhohen që rastet e tilla të mos përsëriten , dhe se do të rrisin vetëdijen për obligimet që kanë ndaj pacientëve dhe qytetarëve, dhe po ashtu do të angazhohen që të rrisin cilësinë e shërbimeve .
GGD-ja duke i uruar shëndet znj. Gajtani dhe foshnjës së saj, thekson se do të angazhohet fuqishëm konform mandatit që ka, për të ndikuar në ngritjen e përgjegjësisë në punë, të mirëqenies sociale, shëndetësore etj.