Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Premte, 14.06.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor.
Pas prezantimit të raportit me rekomandime nga ana e nënkryetarit të komisionit Rexhep Selimi, kryesues i grupit të punës, anëtarët e komisionit e përkrahën për procedim të mëtejmë rekomandimet dhe raportin.
Me këtë rast Selimi theksoi se janë evidentuar të gjetura në Inspektoratin Policor të Kosovës, ndërkaq përmendi disa sosh: zbatimi jo i plotë i ligjit, nivel jo i mirë i bashkëpunimit në mes të institucioneve përkatëse, shkelje e ligjit në procedurat e rekrutimit të personelit të inspektoratit, keqmenaxhimi i buxhetit, mospublikimi i raporteve me kohë, paraqitja publike joprofesionale e inspektoratit policor, në raste të caktuara, si dhe aplikimi i standardeve të dyfishta, po ashtu në raste të caktuara , sidomos në rastin e rekomandimeve për suspendim të zyrtarëve policor.
Më tej, anëtarët e komisionit diskutuan edhe për pjesëmarrjen e komisionit në punëtorinë për mbikëqyrjen e sigurisë dhe intelegjences që do të mbahet në Ohër, më 24-26 qershor.
Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e komisionit u njoftuan se pas kërkesës së komisionit, drejtori i Policisë së Kosovës ka ofruar informata për komisionin lidhur me suspendimin e policëve me rastin e vizitës së Aleksandër Vulin, në Kosovë. Megjithatë, kjo çështje mbeti të diskutohet në mbledhjen tjetër të radhës.