Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës së 7 qershorit
E Enjte, 13.06.2013
Në vazhdimin e sotëm të seancës së 7 qershorit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, në rendin e ditës ishte votimi i tri raporteve vjetore të agjensioneve për vitin 2012, si dhe Rekomandimet që dolën nga debati lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, për të cilat kishte përfunduar debati në mbledhjen e kaluar.
Gjatë votimit deputetët miratuan Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2012, Raportin vjetor të punës të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës për vitin 2012 dhe Raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2012.
Në këtë mbledhje, po kështu u miratuan edhe rekomandimet që dolën nga debati lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015.
Të gjenden mundësitë që çështja taksave të sigurimeve të automjeteve të rregullohet edhe pa qenë Kosova anëtare e KBKGJ-ës dhe e OKB-së
Në vazhdim deputetët debatuan lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave, të kërkuar nga deputeti Ramiz Kelmendi dhe të mbështetur nga deputetë nënshkrues.
Duke e arsyetuar kërkesën për debat, deputeti Kelmendi ka theksuar se këtë e bën me sugjerimet e shumë bashkëkombësve tanë nga trevat jashtë Kosovës , bashkëqytetarëve që jetojnë dhe punojnë në diasporë dhe qytetarëve tjerë që dëshirojnë të qarkullojnë nëpër territorin e Republikës së Kosovës ,si destinacion të vizitave familjare, turizmit apo tranzitimit. Ai ka potencuar se ata duhet të paguajnë taksë një mujore për qëndrim në Kosovë edhe kur qëndrojnë vetëm dy javë. Duke konstatuar se kjo ndodh për shkak se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të
Byrove të Kartonit të Gjelbër, Kelmendi ka kërkuar që të gjenden mundësitë që çështja të rregullohet edhe pa qenë anëtare e këtij këshilli dhe e OKB-së. Ai ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen banorët shqiptarë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, duke shprehur kërkesën që të gjenden mundësitë për t' ua lehtësuar taksat për qëndrim në Kosovë. Propozuesi ka kërkuar gjithashtu të gjenden modele për kërkesat e shumta të bashkëkombësve tanë nga trevat jashtë Kosovës , bashkëqytetarëve që jetojnë dhe punojnë në diasporë dhe qytetarëve tjerë që dëshirojnë të qarkullojnë nëpër territorin e Republikës së Kosovës ,si destinacion të vizitave familjare, turizmit apo tranzitimit. Bashkatdhetarët tanë që duan ta vizitojnë Kosovën po pengohen nga taksat e larta të siguracionit të automjeteve (këto automjete posedojnë kartonat e gjelbër të pranuara ndërkombëtarisht, por Kosova ende nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara ), ka thënë Kelmendi, duke pohuar se atyre iu vendosen tarifa të caktuara të vlerave financiare sipas llojit te automjetit dhe peshës bartëse për t'i mbrojtur makinat dhe personat nga dëmet që mund të shkaktojnë këto makina në territorin e Republikës së Kosovës. "Ne si deputetë me këtë propozim nuk kemi qëllim t' i dëmtojmë shoqëritë e sigurimit, por që këto taksa të ndahen në taksa 24- orëshe , pra që vlerat e njëjta të siguracionit të jenë të ndara për ditë të qëndrimit në territorin e Republikës së Kosovës", ka theksuar parashtruesi i kërkesës, i cili ka përkujtuar se nuk kemi vizita të familjeve të miqësuara . Ai ka thënë se pos me Shqipërinë dhe Maqedonisë që kemi marrëveshje, në kufirin me Serbinë nuk kemi lëvizje të qytetarëve. Ai ka pohuar se edhe tani që po fillon sezoni turistik në Republikën e Shqipërisë, edhe qytetarët e Luginës së Preshevës apo qytetarë tjerë ,për të tranzituar në Kosovë iu duhen 20 euro në shkuarje dhe 20 euro në kthim , pra gjithsejtë 40 euro figuracion. "E njëjta bëhet edhe për automjete të transportit të mallit, të cilat vlera i bëjnë të papërballueshme repromaterjalin për prodhimtarin e vezëve, mishit të freskët , qumështit në raporte me shtetet e regjionit , edhe këtu mundemi vlerën e përcaktuar nga Qeveria ta pjesëtojmë për numër të ditëve dhe të përcaktohet Transportuesi sa ditë do qëndrojë dhe për ato ditë të paguajë siguracionin, ka sugjeruar Kelmendi,i cili ngjashëm ka sugjeruar edhe për bashkatdhetarët tanë që kanë siguracione të rregullta në vendet perëndimore.
Me zvogëlimin e kësaj takse, ka theksuar Kelmendi, buxheti i Kosovës do të rritej diçka mbi 40 milion euro, sepse duke ardhur në Kosovë bashkatdhetarët tanë konsumojnë, prandaj blejnë mallra të ndryshme dhe e stimulojnë edhe prodhimin vendor.
"Lugina e Preshevës është preokupimi ynë i përhershëm", ka theksuar deputeti Ramiaz Lladrovci, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së. "Motoristët e mjeteve kosovare , të cilët dëshirojnë t'i kalojnë kufijtë si dhe motoristët të cilët dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me sigurim kufiri, ka pohuar Lladrovci, duke e përfolur shpjegimin zyrtar të Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, në rastin e Kosovës. Departamenti i Sigurimit Kufitar të Autopërgjegjësisë (DSKA) bën shitjen e policave kufitare të autopërgjegjësisë (TLP) për automjetet me tabela të huaja, ka thënë ai, duke përkujtuar se nga 26.12.2012 aplikon tarifa të veçanta sigurimi me Republikën e Serbisë, kurse nga 1.7.2013 edhe me Malin e Zi.
Si rrugëzgjidhje të problemit të ngritur në këtë debat parlamentar Lladrovci e ka parë anëtarësimin e Kosovës në Byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër, aplikimin e parimit të reciprocitetit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për njohje reciproke të trajtimit të dëmeve dhe njohjen e policave të sigurimit.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Hashim Deshishku, ka theksuar se taksat kufitare kanë bërë që të bjërë në mënyrë rapide numri i bashkëkombësve tanë që e vizitojnë Kosovës, apo të cilët nëpërmjet territorit të vendit tonë duan të vizitojnë Shqipërinë. Ai ka pohuar domosdoshmërinë e zbatimit të siguracioneve për të gjitha automjetet që dalin jashtë Kosovës dhe për atë që hyjnë në territorin e vendit tonë, por ka kërkuar gjithashtu që të gjenden mënyra lehtësuese për t'i përballuar ato. Ai më këtë rast ka vënë në spikamë pasojat e automjeteve nga Serbia, të cilat gjatë qarkullimit në territorin e Kosovës aksidentonin automjetet e qytetarëve të Kosovës, të cilat zhdëmtoheshin jo nga siguracionet e Serbisë, po nga Fondi i Solidaritetit të Kosovës. Ai ka sugjeruar që Kosova të kërkojë të gjejë mundësinë të bëhet anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër pa u bërë anëtare e OKB-së, siç pati vepruar Kroacia.
"Nuk ka dyshim se ekzistenca e Taksës së siguracionit për automjete të udhëtarëve në formën se si aplikohet tani mbetet demotivuese për shumë kënd që dëshiron të udhëtojë nëpër Kosovë, apo që dëshiron të qëndrojë pak më gjatë brenda shtetit të Kosovës", ka theksuar Afrim Kasolli në emër të G.P. Vetëvendosje!. , duke spikatur se polica e sigurimeve është më pasoja negative, veçanërisht për bashkatdhetarët tanë që dëshirojnë t'i kalojnë pushimet vjetore pranë familjarëve të tyre, apo edhe për bashkëkombësit tanë nga rajoni i Preshevës, Medvegjës apo Bujanocit.
Duke kritikuar neglizhencën qeveritare për ta zgjidhur problemin, ai i ka akuzuar kompanitë e sigurimeve, të cilat për shkak të përfitimeve financiare që realizojnë në këtë mënyrë, kanë ndikuar që Kosova t'i humbë një numër shtetesh të përfshira në lobim për anëtarësimin e Kosovës në kartën e gjelbër ndërkombëtare.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq ( SLS) ka theksuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve, nga pengesat teknike ka kaluar në nivelin e pengesave financiare, që nuk e lehtësojnë, por e vështirësojnë problemin. Ai ka theksuar se interesi edhe i shqiptarëve edhe i serbëve është që të zgjidhet në mënyrë të kënaqshme problemi i taksës kufitare.
Deputeti Milivoje Stojanoviq ( Ardhmëria e Përbashkët) ka theksuar faktin e takimeve të shpeshta të kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel, interesin e Brukselit për bashkëpunim të mirë fqinjësor ndërmjet dy vendeve, po ka evidentuar edhe moszgjidhjen e problemeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mënjanimin e taksave që e rëndojnë këtë lëvizje.
Myzejene Semani (KKR) ka shprehur keqardhje që në këtë debat mungojnë qeveritarët e Kosovës, ndërkaq ka konstatuar me shqetësim se 90 për qind e kompanive që merren me siguracionet e kufitare janë të huaja.
Në emër të Grupit Parlamentar 6+ kërkesën për pakësimin e taksave e ka mbështetur Myfera Shinik.
Në debat kanë marrë pjesë edhe deputetë tjerë, të cilët kryesisht janë pajtuar se duhen gjetur zgjidhje të mira për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve duke i zvogëluar taksat kufitare.
Duke u ndërlidhur me debatin për taksat kufitare , ministri i Financave, Besim Beqaj, ka theksuar:"Ne po flasim për ligjin e miratuar, i cili duhet të ndryshohet , amendamentohet, ndërsa u fol shumë për mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Kosovës. Nëse dëshironi ta ulni taksën për sigurimet, kjo do t'i shkojë Bankës Qendrore , por kjo çështje do të duhet të rregullohet me ligj. Pra kërkojmë që ky rekomandim të harmonizohet me ligjin", ka përfunduar Beqaj.
Në përfundim të debatit ka mbetur që grupet parlamentare t'i harmonizojnë qëndrimet për tekstin e rekomandimeve për temën e debatit, para se të miratohen nga deputetët.