Lajmet e fundit
Dëgjim publik organizuar nga Komisioni për Shëndetësi...
E Mërkure, 12.06.2013
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre. Dëgjimin publik, në kuadër të të cilit merrnin pjesë një spektër i gjerë i përfaqësuesve të gjitha këtyre kategorive që iu dedikohet ky Projektligj, e kryesoi Liburn Aliu, kryetar i grupit punues për amendamentimin e Projektligjit, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Time Kadrijaj, zëvendëskryetare e parë e Komisionit, e cila theksoi se ky Projektligj tashmë ka kaluar në leximin e parë në Kuvend, ndërsa është formuar grupi punues lidhur me amendamentimin e tij.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale,tha se ky Projektligj është shumë i rëndësishëm , por duhet të kihet kujdes , sepse çdo veprim pa mbështetje financiare, do të reflektohet në mënyrë të dëmshme në buxhetin e Kosovës. Ai tha se përkrah esencën e Projektligjit dhe se nuk e kundërshton atë,por çështje është si të përballohet zbatimi i tij nga aspekti financiar, duke shfaqur brengën se ai do të ketë një kosto financiare të papërballueshme. Në këtë vështrim, ai u shpreh se nuk është mirë të aprovohet diçka që nuk mund të zbatohet, duke apeluar te të pranishmit që gjatë shqyrtimit dhe propozimeve të kenë parasysh mundësitë buxhetore të Kosovës. Në fjalën e tij ai përmendi edhe të dhënën se tekstin e Projektligjit nuk e shoqëron deklarata e buxhetore e Ministrisë së Financave.
Në vijim u zhvillua një debat i gjerë nga ana e pjesëmarrësve lidhur me Projektligjin, i cili si u tha , ka tejkaluar përçarjet partiake, që u shfaqën me rastin e shqyrtimit të parë. Vëmendje e veçantë nga ana e diskutuesve iu kushtua terminologjisë së Projektligjit, sidomos kur është fjala për gratë e dhunuara, duke marrë para sysh anën perceptuese dhe emocionale ndaj kësaj forme të dhunës. Gjetja e një termi adekuat shihej si një mënyrë për aplikim më të lehtë nga femrat e goditura, për të aplikuar për marrjen e statusit sipas ligjit të ardhshëm. Pati edhe propozime që termi dhunim të mos hiqet nga Projektligji, meqë ai përdoret edhe në dokumente ndërkombëtare.
Mjaft u fol edhe rreth çështjes se çfarë do të jetë mënyra e verifikimit të statusit të bartëseve të së drejtës për kompensim, si dhe konfidencionaliteti gjatë trajtimit të personave të dhunuar.
Deputetja Albulena Haxhiu propozoi tri amendamente, të cilat i kishte formuluar në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile. Në amendamentin e parë theksohej se kompensimi nuk ka fuqi retroaktive, sipas amendamentit të dytë kërkohej që të formohet një komision përgjegjës qeveritar brenda gjashtë muajve, me mandat pesëvjeçar, që nga hyrja në fuqi e këtij Projektligji, ndërsa me amendamentin e tretë kërkohej mbrojtja e të dhënave të të abuzuarave. Nga udhëheqja e dëgjimit publik u premtua se të gjitha vërejtjet do të shqyrtohen në grupin punues, ndërsa u kërkua që vërejtjet e sugjerimet të gjithë diskutuesit t' i dërgojnë edhe me shkrim.