Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 10.06.2013




Komisionit për Legjislacion, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Arben Gashi, shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare, të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje. Për të diskutuar për këtë Projektligj, në mbledhje ishte i pranishëm edhe zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Duke folur për këtë Projektligj, Kuçi sqaroi në hollësi se cilat fusha do të rregullojë ai, ndërkaq u angazhua për konsensus të plotë të spektrit politik, duke vlerësuar se marrëveshja është jetike për integrimin e komunitetit serb të pjesës veriore të Mitrovicës në sistemin unik legjislativ të Republikës së Kosovës. Ai tha se marrëveshja, të cilën Qeveria në formë Projektligji e ka sjellë në Kuvend, parasheh themelimin e Asociacionit të komunave serbe në atë pjesë si dhe mënyrën e rregullimit të çështjes së drejtësisë, policisë dhe organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ai, po ashtu foli edhe për afatin dhe ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshje, për të cilën kërkoi nga anëtarët e Komisionit që ta mbështesin dhe ta procedojnë tutje.


Anëtarët e komisionit, ndërkaq, fillimisht ngritën çështjen se, a duhet ratifikuar vetëm marrëveshja apo edhe Plani i implementimit të saj. Që këtë duhet trajtuar ndarazi, insistoi kryetari i Komisionit, Gashi, derisa anëtarët e tjerë të Komisionit vlerësuan se në Projektligj nuk është harmonizuar teksti i marrëveshjes sipas gjuhëve (shqip, serbisht dhe anglisht). Ndër çështjet e ngritura, për të cilën u kërkua sqarim nga zv. kryeministri Kuçi, ishte edhe Ligji për amnistinë. Lidhur me këtë, Kuçi tha se nuk do të ketë amnisti për kriminelë, por vetëm për ata që kanë punuar në administratën ilegale në veri. Gjatë debatit, vetëm deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, ishte kundër Marrëveshjes dhe Planit për implementimin e saj. Ndërkaq, anëtarët e tjerë të Komisionit u dakorduan që të harmonizojnë qëndrimet rreth këtij Projektligji. Për këtë, Komisioni do të takohet edhe nesër.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion