Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë

E Hënë, 10.06.2013




Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që vazhdimi i seancës së 7 qershorit të mbahet të enjten , më 13 qershor të këtij viti, duke filluar nga ora 10. Me këtë rast do të bëhet votimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2012, Raportit vjetor të punës të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës për vitin 2012 dhe i Raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2012 , për të cilët është kryer debati.

Në këtë mbledhje po kështu do të votohet edhe për rekomandimet që dolën nga debati lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, për të cilin gjithashtu ka përfunduar debati. Në vijim do të zhvillohet debati parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave.

Ndërkaq, në seancën e re të Kuvendit, e cila do të mbahet të njëjtën ditë, në rendin e ditës, pas pikave të rëndomta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tregtinë e mallrave strategjike, ndërsa në shqyrtim të dytë Projektligjin për produktet e ndërtimit,ndërsa në vazhdim në rendin e ditës do të jetë zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Mbledhja e Kryesisë