Lajmet e fundit
U mbajt tryeza Gratë dhe zhvillimi ekonomik
E Premte, 07.06.2013
Grupi i Grave Deputete mbajti sot një tryezë në Istog me temën " Gratë dhe zhvillimi ekonomik", përkrahur nga NDI. Fillimisht nikoqirja e tryezës deputetja znj. Donika Kadaj Bujupi pasi u shprehu mirëseardhjen të pranishmëve tha se nga pjesa dërmuese e të papunëve, 60 për qind janë gra. Sipas saj gjendja jo e mirë ekonomike sociale, sidomos e grave janë arsye që ne të punojmë më tepër për ta përmirësuar këtë gjendje. "Nga vizitat dhe takimet e shumta ne kemi vërejtur se ekziston mundësia që kjo gjendje të përmirësohet. Disa gra dhe burra kanë arritur të fillojnë biznese me pak buxhet, dhe ta rrisin biznesin e tyre. Ne duhet të drejtojmë veprimtaritë në bazë të potencialit që kemi. Në Istog rreth 70 për qind e popullatës varen nga bujqësia dhe ky sektor duhet të përkrahet" tha Kadaj.
Më pastaj kryetarja e GGD znj. Teuta Sahatqija, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë vizituar 25 komuna duke u takuar kështu edhe me gratë e kësaj pjese. Ajo tha se këtë jemi duke e bërë me qëllim të fuqizimit të grave jo vetëm në politikë dhe në vendimmarrje, por edhe për të ndikuar në politikat zhvillimore, sidomos në projekte që ndikojnë në fuqizimin ekonomik të gruas. "Gjithashtu ne po angazhohemi që t'i inkurajojmë gratë që më mundësitë që ato kanë të mësohen të krijojnë të ardhura për vete dhe familjen. Ne kemi kërkuar nga institucionet monetare ndërkombëtare, fonde strukturale, me anë të të cilave do të përkrahen bizneset e grave dhe po presim të kemi rezultate. Por, ajo që është me rëndësi është që ju të filloni të bëni projekte serioze të analizuara dhe punuara mirë e ne të iu ndihmojmë me politika ekonomike", tha Sahatqija.
Ndërkaq, deputetja Lirije Kajtazi duke folur për rëndësinë e shkollave profesionale tha se këto shkolla duhet të kenë rol më të madh dhe të jenë më tërheqëse dhe të jenë kompatibile me tregun e punës dhe të krijojnë teknikë dhe profesionistë të mirë. Po ashtu, theksoi Kajtazi se edhe në Universitete duhet përshtatur kurrikulat me kahet e zhvillimit ekonomik.
Krejtësisht në fund u morën këto rekomandime:
1. Përkrahje me ligj e afarizmit të grave dhe të hartohen politika që fuqizojnë ekonomikisht gratë dhe të favorizojnë iniciativat e grave në biznes.
2. Në universitete të zhvillohen kurrikula në favor të politikave gjinore në veçanti politikave që përgatisin gratë për veprimtari ekonomike.
3. Të bëhen politika ekonomike dhe fiskale (si kredi me kushte të favorshme, tatime me norma të ulëta etj.), si dhe të subvencionohen aktivitete biznesore të grave në sektorë të ndryshëm.
4. Të shikohet mundësia e shfrytëzimit të fondeve strukturale për gratë në afarizëm,
5. Të organizohen e seminare, trajnime apo specializime të ndryshme, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të grave për afarizëm
6. Të rritet bashkëpunimi i grupit të Grave Deputete me Grupet e grave në komuna dhe gratë nga shoqëria civile, parti politike dhe grave në përgjithësi nё bordet e ndërmarrjeve publike.
7. Të nxitet absorbimi i grandeve nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si në agrobiznes dhe veprimtari të tjera ekonomike.
8. Të organizohen ekspozita, panaire, publikime dhe forma të promovimit të veprimtarive afariste të grave.
9. Të bëjmë një fushatë, me qëllim të promovimit dhe konsumimit të produkteve vendore me moton:"Duaje tënden".