Lajmet e fundit
Një grup i deputetëve të Kuvendit u takuan me Myftiun Naim Tërnava
E Enjte, 06.06.2013
Me kërkesë të Grupit të Grave Deputete, delegacioni i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Teuta Sahatqija, Flora Brovina, Alma Lama, Donika Kadaj, Glauk Konjufca, Halit Krasniqi, Hashim Deshishku, Ahmet Isufi, Blerta Deliu dhe Lirie Kajtazi, vizituan sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u pritën nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Myftiu Tërnava, pasi u shprehu atyre mirëseardhje, foli për rolin dhe përgjegjësinë që ka Bashkësia Islame, për raportet ndërnjerëzore, kultivimin e vlerave pozitive njerëzore, frymës së tolerancës dhe përparimit të shoqërisë.
Gjatë këtij takimi deputetët shprehën brengën e tyre për gjuhën e urrejtjes, fyese dhe denigruese ndaj grave dhe vajzave të Kosovës, nga Hoxhë Irfan Islami. Ata theksuan se xhamia si tempull fetar predikon me urtësi dhe maturi, ashtu siç është traditë në Kosovë dhe siç thuhet edhe në Kuran.
Deputetët kërkuan që BIK-u të distancohet nga kjo mënyrë e predikimit të fesë nga individë që keqpërdorin tempullin fetar, e cila ndikon tek të rinjtë, të cilët shkojnë të dëgjojnë mësime e të marrin udhëzime për praktikimin e fesë.
Me këtë rast Myftiu tha se kanë marrë deklaratën e imam Salihut dhe se janë në procedura disiplinore.
Po ashtu, ai tha se është i brengosur për ndikimet nga persona të cilët nuk janë nën ombrellën e BIK-ut dhe të cilët përhapin fenë jotradicionale për viset tona.
Muftiu foli edhe për problemet me të cilat ballafaqohet BIK-u dhe kërkoi përkrahjen e tyre për tejkalimin e këtyre sfidave.
Në fund të takimit u konstatua se ekziston nevoja e një komunikimi më të shtuar mes BIK-ut dhe institucioneve.