Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 06.06.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, ka miratuar rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rezolutën e harmonizuar, e lexoi iniciuesi i këtij debati, deputeti Lutfi Haziri.

Debati për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ishte shterur të premten e kaluar, ndërsa në mungesë të kuorumit, rezoluta nuk ishte hedhur në votim.

Pikat e rezolutës së miratuar:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;

2. Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë, duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;

3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një zyrë në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje, sipas normave ndërkombëtare;

4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;

5. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të lirojë të burgosurit politikë, duke përfshirë të ashtuquajturin grupin e Gjilanit, që janë viktima të një procesi të montuar politik;

6. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës;

7. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të marrin nismë ligjore;

8. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;

9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare;

10. Qeveria e Republikës së Kosovës të themelojë grupin ndërministror për implementim, që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit