Lajmet e fundit
Debat publik rreth monitorimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
E Mërkure, 05.06.2013
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Bashkësive dhe Kthim, nën kryesimin e z.-nj. Jasmina Zhivkoviq, kryetare e Komisionit, mbajti sot Debat publik për monitorimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Në këtë debat, përveç anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, me në krye ministrin, z. Sllobodan Petroviq (njëherësh zëvendës-kryeministër), përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit, Komisionari i Zyrës për gjuhë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Sllavisha Mlladenoviq, si dhe përfaqësues të OSBE-së, NDI-së, ECMI të Kosovës dhe të Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.
Në debatin e lartpërmendur, kryetari i Grupit punues, z. Marinkoviq, ndër të tjera, theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar në vitin 2006 në Kuvendin e Kosovës dhe se Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Bashkësive dhe Kthim, duke u bazuar në mandatin dhe në emër të autorizimeve të tij, që dalin nga fushëveprimi i punës, ka formuar Grupin punues lidhur me kontrollin e zbatimit të këtij ligji. Kështu, gjatë monitorimit të zbatimit të këtij ligji në terren, është nxjerrë përfundimi që implementimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk bëhet në tërësi. Në shumicën e rasteve, përkthimi i dokumenteve dhe i teksteve të ndryshme nuk bëhet në dy gjuhë zyrtare (në gjuhën shqipe dhe serbe), nuk ka qasje në informacione zyrtare në të dy gjuhët zyrtare, ka shkrim jo të drejtë në shenjat topografike në të dy gjuhët zyrtare, mos përkthim në disa komuna, në të cilat, përveç këtyre dy gjuhëve zyrtare, është në përdorim zyrtar edhe gjuha e tretë (për shembull, gjuha turke), si dhe disa gabime të tjera teknike në shkrimin e teksteve të ndryshme në të dy gjuhët zyrtare.
Zëvendës kryeministri dhe ministri Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Petroviq, theksoi se, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjuha shqipe dhe serbe janë të barabarta në përdorim dhe shfrytëzim dhe se në 29 komuna të Kosovës - ekzistojnë zyrat për përkthim në të dy gjuhët zyrtare dhe se në 5 komuna, po ashtu, ka zyrtarë që janë të ngarkuar që, sipas nevojës, t'i përkthejnë materialet në të dy gjuhët zyrtare, që përdoren në tërë territorin e Kosovës. Në vazhdim të debatit publik, për shkallën e aplikimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës konstatuan se, në krahasim me vitet e mëparshme, në vitin 2012, ligji i lartpërmendur, respektohet dhe aplikohet gjithnjë e më shumë në terren, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal. Përjashtim bën pjesa veriore e Kosovës, ku Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk respektohet, sepse po thuajse askund nuk ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Në vazhdim, përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës theksuan se, me fillimin e punës së kanalit të RTK-së 2, në gjuhën serbe, aplikimi në praktikë e ka shtuar përqindjen sa i përket implementimit të ligjit të lartpërmendur.
Komisionari i Zyrës për gjuhë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Sllavisha Mlladenoviq, duke marrë pjesë në debat, theksoi se kjo zyrë, para do kohësh, ka bërë monitorimin e Ueb - faqeve zyrtare të ministrive dhe se ka ardhur në përfundim se, në shumicën e ministrive, nuk publikohen informacionet në të dy gjuhët zyrtare, se nuk ka përditësim të mjaftueshëm, apo se përditësimi i informacioneve bëhet vetëm në njërën gjuhë, në Ueb-faqe. Përveç kësaj, ka edhe mjaft gabime sa i përket përkthimit (në shumicën e rasteve në gjuhën serbe) dhe gabimet teknike në shumicën e Ueb - faqeve të ministrive.
Në fund të debatit publik, me qëllim të përmirësimit të implementimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të pranishmit shfaqen mendimin se do të duhej që, qysh nga shkolla fillore, të futet në programin mësimor mësimi i gjuhës shqipe dhe serbe, që të organizohen trajnime dhe seminare të ndryshme për përkthyes, që të bëhet standardizimi i gjuhës në kuadër të miratimit të ligjeve.