Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 05.06.2013
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për vitin 2012.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, i cili ofroi një pasqyrë të punës së deritashme, sfidat dhe të arriturat e ART-së. Fillimisht, drejtori Hoxha tha: "Aktivitetet e ARKEP-it gjatë vitit 2012 kanë qenë të përqëndruara në arritjen e qëllimeve dhe objektivave strategjike, të përcaktuara për rregullimin e shërbimeve telekomunikuese dhe shërbimeve postare, me theks te veçantë në ruajtjen dhe promovimin e konkurrencës efektive dhe të qëndrueshme". Duke paraqitur të arriturat e ARKEP-i, kryetari i saj veçoi arritjen e gjendjes optimale në harmonizimin e ndarjes së brezave frekuencorë për operatoret ekzistues, vendimin e Qeverisë së Kosovës, sipas rekomandimit të ARKEP-it, për liberalizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve telekomunikuese mobile, miratimin e shenjës thirrëse, (prefiksit) dhe funksionalizimi i shërbimeve radio amatore. Ai në vijim tha se ARKEP-i e ka përmbyllur me sukses planin afatmesëm, për harmonizimin e legjislacionit të aplikueshëm me kërkesat. Ai, po ashtu njoftoi edhe për telefoninë fikse dhe atë mobile, ndarjen e tregut sipas përdoruesve, mbulueshmërinë dhe elementet e rrjetit, për tarifat e thirrjeve kombëtare e ndërkombëtare, ndërkaq, në fund të fjalës së tij ofroi edhe një pasqyrë të përgjithshme mbi tregun postar. Pas kësaj, drejtori i Bordit të ARKEP-it, Hoxha, u përgjigj në pyetjet që shtruan anëtarët e Komisionit. Interesimit të tyre rreth pjesëmarrjes së ARKEP-it në dialogun me Serbinë, Hoxha u përgjigj:" Nga marsi 2011 deri më sot, ARKEP-i, ka qenë pjesëmarrës në dialog duke dhënë kontributin tonë në çështje të kësaj fushe. Jemi në rrugë të mirë për të arritur objektivat", th ai. Pas debatit, anëtarët e Komisionit unanimisht e miratuan Raportin, i cili pas kësaj pritet të shqyrtohet edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.
Në këtë mbledhje, po ashtu është miratuar edhe Projektligji për produktet e ndërtimit.