Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion nga Mali i Zi
E Hënë, 03.06.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin nga Mali i Zi, kryesuar nga z. Branislav Miçunoviq, ministër i Kulturës së Malit të Zi, në kuadër të të cilit ishin edhe disa ministra dhe kryetarë komunash nga ky shtet.
Duke u falënderuar për ketë pritje, z. Branislav Miçunoviq, theksoi se ky delegacion gjendet në Kosovë me rastin e mbajtjes së Forumit të miqësisë Kosovë-Mali i Zi, i cili mban emrin e poetit të mirënjohur malazias Radovan Zogoviq,manifestim ky që ka pretendime të jetë rajonal. Z. Miçunoviq në vijim tha se Mali i Zi përshëndet çdo hap që bën Kosova në rrugën e prosperitetet të gjithmbarshëm për bashkëjetesë dhe bashkëpunim të ndërsjellë.
Në fjalën e tij kryekuvendari Krasniqi shprehu kënaqësinë që janë krijuar rrethana për një bashkëpunim të shumanshëm ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ai vlerësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës që erdhi shpejt nga ana e Malit të Zi. Ndërkaq, në vijim theksoi se janë të gjitha mundësitë që ndërmjet dy shteteve tona të zhvillohet një bashkëpunim edhe më i gjerë në të gjithë lëmenjtë. Gëzon fakti që ndërmjet parlamenteve dhe qeverive të të dy shteteve ekziston një bashkëpunim mjaft i mirë. Në këtë frymë komunitet malazias që jeton në Kosovë dhe ai shqiptar që jeton në Mal të Zi janë ura të forta bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve . Komuniteti malazias , tha kryekuvendari Krasniqi, do të ketë të gjitha të drejtët sipas Kushtetutës, që i kanë edhe komunitetet tjera në Kosovë.