Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 03.06.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua raporti i Komisionit Qendror të zgjedhjeve për vitin 2012.
Duke e paraqitur raportin e KQZ-së, për vitin 2012, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pasi foli për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të mbajtura gjatë vitit të kaluar, tha se nuk ka pasur vërejtje të mëdha gjatë këtyre zgjedhjeve që do ta dëmtonin imazhin e tyre. Ndërkaq, foli edhe për memorandumin e bashkëpunimit me Asociacionin e Komisioneve Zgjedhore Evropiane (ACEEEO).
Tutje, Daka foli edhe për procesin e pastrimit të listave të votuesve në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë një angazhimi njëvjeçar nga grupi i punës, Daka sqaroi se janë hequr përafërsisht 30 mijë emra nga lista votuese, atyre që kanë ndërruar shtetësinë ,si dhe numrit të të vdekurve dhe sqaroi se janë në fazën e përgatitjes së raportit përfundimtar.
Pasi shpalosi radhazi të gjitha angazhimet dhe sfidat e KQZ-së gjatë vitit 2012, Daka është përgjigjur edhe në pyetjet e shumta të anëtarëve të komisionit, të cilët dhanë shumë vërejtje për çështje të ndryshme. Ata, theksuan se raporti nuk pasqyron gjendjen reale të KQZ-së dhe se atij duhet bashkangjitur edhe planin e punës.
Pas një debati të gjerë mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të KQZ-së, anëtarët e komisionit nuk e përkrahën raportin e KQZ-së për vitin 2012.