Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Premte, 31.05.2013
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqën nënkryetarët Xhavit Haliti e Sabri Hamiti), ka debatuar për të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sipas kërkesës së deputetit Lutfi Haziri, i mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues.
Duke përshëndetur përfaqësuesit e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të shoqatave të ndryshme, ta pranishëm në këtë mbledhje, deputeti Haziri tha se në bazë të shumë dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat njeriut e të komuniteteve pakicë, gjendjes jo të mirë politike e ekonomike, diskriminimit e cenimit të të drejtave të lirisë së shprehjes, mohimin e kultivimit të identitetit kombëtar, kulturor e gjuhësor, moszbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, institucionet e Kosovës të kenë më shumë kujdes dhe interesim gjithëpërfshirës për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në këto treva.
Në vazhdim, deputeti Haziri paraqiti rezolutën me rekomandime, për të cilat tha se janë shtyllat kryesore që mbrojnë interesat themelore dhe avancojnë kujdesin institucional të Kosovës karshi gjendjes në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rekomandimet e propozuara parashihnin shtim të kujdesit dhe interesimit shtetëror nga ana e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe kombëtare, përkujdesje më të madhe për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës të shpërngulur në Kosovë, hapjen e zyrave në Prishtinë dhe Gjilan, krijimin e lehtësirave të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjes me dokumente përkatëse dhe lehtësi të tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese, reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në Kosovë etj.
Kryeministri Hashim Thaçi, duke e përshëndetur këtë debat, siguroi deputetët se në çdo takim me përfaqësues ndërkombëtarë, është ngritur çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe domosdoshmëria e ndryshimit të kësaj gjendjeje për të mirë. Pa dashur të bëjë balancë ndërmjet të drejtave të shqiptarëve në këtë trevë dhe gjendjes në veri, Thaçi tha se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë respektuar rrugët demokratike dhe kërkojnë zgjidhje demokratike për të drejtat e tyre kombëtare e civile.
"Nuk mund të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa realizuar të drejtat legjitimeve të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Qasja jonë ndaj këtyre çështjeve duhet të jetë institucionale, me interes për politikat kombëtare dhe standardet ndërkombëtare", theksoi kryeministri Thaçi.
Ai tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka për obligim të shkojë përtej rezolutës dhe që çështja shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të jetë çështje kushtetuese. Duke theksuar se nuk dëshiron që kjo çështje të heshtet, kryeministri propozoi që në vend të rezolutës, Kuvendi të miratojë propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
"Vetëm kjo është zgjidhje. Propozoj që nenit 1 të Kushtetutës t'i shtohet edhe pika 4 dhe të theksohet: Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjete të përcaktuara me ketë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare", theksoi kryeministri Thaçi.
Duke shpalosur qëndrimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Arsim Bajrami vlerësoi se PDK-ja ka përcjell me shqetësim gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe është dëshmitare e shkeljes sistematike dhe kontinuele të të drejtave kushtetuese, kombëtare, politike dhe individuale të tyre. Ai tha se PDK-ja angazhohet që çështja e pozitës kushtetuese të shqiptarëve të Kosovës Lindore të zgjidhet në mënyrë të përhershme dhe shtetërore.
"Ne mbështesim plotësisht propozimin e kryeministrit që kjo zgjidhje nuk duhet të jetë politike dhe e çastit, por duhet të jetë një obligim i përhershëm i Republikës së Kosovës, e cila duhet të marrë obligime të një niveli më të lartë kushtetues dhe ligjor, që t'i mbrojë të drejtat e shqiptarëve jashtë kufirit të Kosovës", u shpreh deputeti Bajrami, duke e potencuar angazhimin partisë së tij që çështja e pozitës së komunave shqiptare në Luginën e Preshevës të zgjidhet me masat e vendosura të shtetit të Kosovës dhe që integrimi i Serbisë brenda BE-së të kushtëzohet ekskluzivisht me qasjen korrekte ndaj shqiptarëve.
Deputetja Vjosa Osmani, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se Kushtetuta nuk ia ndalon Kosovës që të përkujdeset për këto tri komuna, përkundrazi, sipas saj, preambula e kësaj kushtetute thërret Kosovën që të kontribuojë për stabilitetin në rajon. Ajo tha se LDK-ja beson fuqishëm që thirrja e Kosovës për mbrojtje të lirive dhe të drejta themelore të qytetarëve të Kosovës Lindore është pikërisht kontribut për stabilitetin në rajon.
"Ne sot, si asnjëherë jemi të vetëdijshëm për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovën Lindore. Është me rëndësi që askush nga ne mos ta harrojë kontributin e qytetarëve nga Kosova Lindore, të cilët dhanë jetën dhe sakrifikuan shumë për lirinë të cilën ne sot po e gëzojmë në Kosovë dhe iu jemi shumë mirënjohës", theksoi Hajzeraj.
Duke bërë një përshkrim të gjendjes në këtë rajon, ajo tha se diskriminimi i vazhdueshëm, rastet e montuara gjyqësore, kriza e shkaktuar rreth lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, largimi i tij i dhunshëm dhe statusi i pazgjidhur i shqiptarëve, janë burim i vazhdueshëm i tensioneve.
Sipas Hajzerajt, mundësia e shpërndarjes së krizës edhe jashtë kufijve të tri komunave të Kosovës Lindore, shtron nevojën që të gjendet një zgjidhje për të drejtat e shqiptarëve të këtij rajoni.
Deputeti Liburn Aliu, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se debati i sotëm i kapë majat e hipokrizisë, sepse, sipas tij, sot po flitet për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkohë që është miratuar Marrëveshja me Serbinë dhe ajo pritet të vijë për ratifikim në Kuvend. Kjo marrëveshje, shtoi Aliu, doli si rezultat i negociatave me Serbinë, e cila i shtypë të gjithë shqiptarët për të cilët po flitet sot në Kuvend. Në negociatat me Serbinë, Aliu tha se nuk është folur asnjëherë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Që nga viti 2006 e këtej, sa herë janë zhvilluar takime me Serbinë, shtoi ai, në të njëjtën kohë ajo ka bërë presion, shtypje dhe terror mbi shqiptarët. Duke theksuar se kërkesat e shqiptarëve të kësaj treve janë të qarta, Aliu bëri thirrje që të mos ratifikohet marrëveshja me Serbinë dhe Beogradit t'i vendosen kushte të qarta për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputeti Ahmet Isufi theksoi se rezoluta e cila duhet të miratohet në këtë Kuvend, duhet të përmbajë elementin kryesor, i cili, sipas tij, është vullneti i shprehur politik i qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për autonomi politike, territoriale, me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Elementet e tjera të cilat duhet të jenë pjesë e rezolutës, shtoi Isufi, duhet të jenë ato të cilat në mënyrë praktike ndryshojnë pozitën e shqiptarëve atje.
Ai tha se nuk ka nevojë të devijohet nga rezoluta, sepse, sipas tij, ajo nuk e cenon Kushtetutën, por Kushtetuta mund të ndryshohet edhe më vonë dhe po ashtu në Kushtetutë të vendosen elemente konkrete të cilat janë në mbrojtje të këtyre interesave.
"Ta obligojmë qeverinë t'i kryejë detyrat e saj edhe me rezolutë, edhe me Kushtetutë, sepse kështu u dalim në ndihmë qytetarëve në Kosovën Lindore", theksoi Isufi.
Qëndrimin e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, e paraqiti kryetarja e këtij grupi, Myzejene Selmani. Ajo tha se gjendja në Luginën e Preshevës, që nga përfundimi i luftës, në vend të avancimit të lirisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve, ajo sa vije e rëndohet, si rezultat i presioneve të pushtetit serb. Ajo shtoi se gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës sot, nuk dallon asgjë nga gjendja e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të '90-ta.
"Represioni dhe shtypja, privimi nga të drejtat elementare njerëzore, ndjekja, burgosja, proceset e montuara politike, privimi nga të drejtat në shkollim e qasje në shëndetësi, militarizimi i rajonit, janë disa nga masat që janë ndërmarrë dhe po ndërmerr politika e Beogradit, me të vetmin qëllim, që t'ia bëjë të pamundur jetesën në trojet e veta etnike popullatës shqiptare", u shpreh deputetja Selmani.
Deputeti nga radhët e Grupit Parlamentar të SLS-së dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Petar Miletiq, theksoi se është çështje delikate për serbët, që të marrim pjesë në këtë debat për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, për faktin se kjo mund të përdoret si pretekst nga ana e kritikëve me qëllime jo të mira.
"Heshtja ime në këtë debat do të ishte papërgjegjësi politike dhe dobësi njerëzore", theksoi Miletiq, duke shtuar se për këtë çështje duhet të flitet pa emocione dhe jo për qëllime zgjedhore. Ai shprehu mendimin se ky debat nuk do të shkojë në dobi të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Deputeti Miletiq porositi shqiptarët që të ruajnë kulturën dhe trashëgiminë duke ndërtuar njëkohësisht edhe besimin e ndërsjellë.
Në emër të Grupit Parlamentar "Ardhmëria e përbashkët", deputetja Vesna Mikiq shtroi pyetjen se ku po shihet se në Kosovë serbët gëzojnë të drejta më shumë se shqiptarët në jug të Serbisë. Në diskutimin e saj, ajo tha se si mund të flitet për këto të drejta të serbëve, përderisa, sipas saj, atyre iu dëmtohen varrezat, pengohet kthimi i tyre në Kosovë dhe detyrohen të jetojnë në geto. Ajo shfaqi mendimin se shqiptarët e jugut të Serbisë gëzojnë të drejta si të gjitha komunitetet e tjera në Serbi dhe në shtetet e tjera.
"Në vend se ne të angazhohemi që së bashku të kapërcejmë këto dallime, ne po kthehemi në të kaluarën", theksoi ajo.
Duke marrë fjalën në këtë debat, kryeparlamentari Krasniqi tha se institucionet e Kosovës kanë mundësi që në mënyrën më të ngutshme të bëjnë disa shërbime për qytetarët e kësaj treve në fushën e arsimit, të shëndetësisë, kulturës, traditës, taksave kufitare, krijimin e lehtësive për prodhuesit dhe biznesmenët që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në këto tri komuna, ndërsa të drejtat kombëtare e ekonomike të jenë mbi bazën e standardeve që janë vendosur në Kosovë për komunitetet pakicë.
"Për t'u realizuar këto, kërkohet një angazhim më i shumëanshëm, nga Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar. Ndoshta, nga kjo foltore dhe me dokumentin që do ta nxjerrim, do të duhej të kërkonim nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, që të hulumtojë gjendjen e lirive dhe të drejtave njerëzore, etnike dhe politike në këto tri komuna", theksoi kryetari Krasniqi, duke shtruar nevojën që realizimi i të drejtave etnike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kreu i Kuvendit tha se nëse ajo marrëveshje vërtet ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bëhet edhe për përmirësimin e raporteve ndërmjet qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve serbë, në të dy anët e kufirit.
Në vazhdim, me diskutimet e tyre kontribuuan deputetët: Nijazi Idrizi, Hashim Deshishku, Visar Ymeri, Goran Marinkoviq, Fadil Demaku, Lirie Kajtazi, Alma Lama, Agim Kuleta, Jeton Svirca, Hydajet Hyseni, Haki Demolli, Ramiz Kelmendi, Gëzim Kelmendi, Shaip Muja, Salihe Mustafa, Rexhep Selimi, Amir Ahmeti, Nait Hasani, Ganimete Musliu, Zenun Pajaziti, Ramiz Lladrovci, Bekim Haxhiu, dhe Halit Krasniqi.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, seancën e sotme e konsideroi ngjarje, për faktin se, sipas tij, për herë të parë institucioni më i lartë përfaqësues i Republikës së Kosovës diskuton për të drejtat e një pjesë të kombit shqiptar. Ai tha se koordinata e të gjitha diskutimeve në fund thotë se Kosova, me gjithë fuqitë institucionale dhe politike, është e gatshme që të ndihmojë bashkombasit tanë në Luginën e Preshevës, që t'i fitojnë të drejtat e tyre dhe t'i mbrojnë ato.
Nënkryetari tjetër i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pakica kombëtare më e shtypur në Evropë. Ai tha se shqiptarët e Luginës e përjetojnë diskriminimin e përditshëm në çdo fushë të jetës, në aspektin kombëtar, ekonomik, politik, social, kulturor, gjuhësor, identitar, arsimor e kështu me radhë, deri te ndarja e buxhetit.
Qëndrimet e qeverisë, ndërkaq, i paraqitën zëvndëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj.
Pas shterjes së debatit, kërkuesi i tij, deputeti Lutfi Haziri, në konsultim me grupet parlamentare, paraqiti Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të plotësuar me disa pika shtesë nga versioni i parë. Kështu, sipas pikës së parë të rezolutës së propozuar, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të procedojë amendamentin kushtetues i cili obligon Republikën e Kosovës që të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës.
Ishte kjo pikë për të cilën përfaqësuesit e grupeve parlamentare kishin qëndrime të ndryshme, nëse duhet të jetë pjesë e Rezolutës ose jo.
Pas një pauze disaminutëshe, në mungesë të kuorumit, rezoluta nuk mund të hidhej në votim dhe Kuvendi ndërpreu mbledhjen.