Lajmet e fundit
Nga mbledhja përkujtimore e Kuvendit të Kosovës
E Premte, 31.05.2013
Në nderim të jetës dhe veprës së heronjve të Kosovës, përkatësisht 24 - vjetorit të rënies së heroit Ali Ajeti dhe 14- vjetorit të rënies së dëshmorit, Rasim Kiçina, Kuvendi i Kosovës mbajti sot mbledhje përkujtimore.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, duke vënë në spikamë cilësitë dhe virtytet e dëshmuara gjatë gjithë jetës së tyre heronjtë Ali Ajeti e Rasim Kiçina, tha :"Falë gjakut të Aliut, të Rasimit e të Ragipit dhe mijëra dëshmorëve të tjerë të kombit, të heronjve sypatrembur, Kosova sot është e lirë dhe mbi ato flijime të guximshme njerëzore po e ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë". Duke folur për dëshmorin Ali Ajeti, kryeparlamentari Karasniqi me këtë rast kujtoi:" Pas një beteje më 31 maji 1989 në fshatin Shtedim të Besianës (Podujevës), Ali Ajeti dhe çeta e tij, plumbave të armikut iu përgjigjen me plumba, duke ndjekur kështu shembullin e Rexhep Malës, Nuhi Berishës e të Tahir e Nebih Mehës".
Për dëshmorin Rasim Kiçina, ndërkaq, kryeparlamentari Krasniqi u shpreh:" Rasim Kiçina, ishte ushtar i paepur i shumë betejave epike dhe komandant në kuptimin e plotë të fjalës". Kur flasim për Rasim Kiçinën, tha në vijim ai, flasim për ushtarin e ndershëm e vetëmohues të orëve të para të UÇK-së.
Me nga një fjalë rasti në këtë mbledhje u paraqitën edhe deputetët, Ramiz Lladrovci e Shaip Muja.
Duke folur për figurën e Ali Ajetit, deputeti, Shaip Muja, mes tjerash tha: "Ali Ajeti, ishte një nga pjesëmarrësit më aktiv në demonstratat e vitit 1981. Si pasojë e veprimtarisë së tij antipushtuese u burgos në janar të vitit 1984". Për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Ali Ajeti, ai në vijim u shpreh se aftësia e Aliut për organizimin ushtarak, i dha formë dhe përmbajtje veprimit antipushtues, duke e përçuar tek Lëvizja për Republikën e Kosovës (LPK), idenë e organizimit ushtarak. Në vijim të fjalës së tij, Muja foli edhe për rolin vendimtar të dëshmorit Ali Ajeti në themelimin e "Çetës së Llapit". Në fund të fjalës së tij me këtë rast, ai solli në kujtim fjalët e fundit të dëshmorit Ali Ajeti: "Të fala shokëve. Unë po vdes për Liri".
"Kur nderojmë emrin, jetën dhe veprën e dëshmorit Rasim Kiçina, kujtojmë dhe nderojmë njëkohësisht edhe bashkëluftëtarët e tij të shumtë, emrat e një brezi të lavdishëm të lidhur ngushtë me lindjen rriten dhe vizionin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tha Ramiz Lladrovci në fillim të fjalës së tij duke folur për figurën e dëshmorit, Rasi Kiçina. Personalitetin e dëshmorit Rasim Kiçina, Lladrovci e shfaqi në tri dimensione: në karakterin e tij me një trimëri të lindur, zgjuarsinë dhe kthjelltësinë politike si dhe humanizmin. Për virtytet e tij të dëshmuara, tha në vijim ai, tregojnë edhe shkrimet e shumta të gazetarëve të huaj, përkatësisht shkrimet në të përditshmet më prestigjioze të Britanisë së Madhe dhe të gazetave të tjera prestigjioze anë e kënd Evropës. "Rasim Kiçina, ishte përfaqësuesi tipik i eprorit të UÇK-së që dallohej për solidaritet si ushtar dhe qytetar ". Duke folur për shkathtësitë e tij ushtarake, ai solli në kujtim pjesëmarrjen e dëshmorit Rasim Kiçina në betejën e Llapushnikut si dhe pjesëmarrjen e tij në të gjitha betejat e zhvilluara gjatë vitit 1998 në Zonën Operative të Drenicës.