Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga Kanada
E Enjte, 30.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një grup studentësh nga Kanada, të shoqëruar nga prof. Faton Bislimi, të cilët gjenden në vendin tonë me qëllim njohjeje e studimi të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Duke iu uruar mirëseardhje dhe sukses në studime, kryekuvendari Krasniqi i njoftoi studentët me rrjedhat e gjithmbarshme politike, shoqërore e ekonomike në Kosovë. Ai tha se pavarësia e Kosovës dhe rezultatet e arritura në shtetformimin e saj nuk do të arriheshin në këtë nivel vetëm me vullnetin dhe punën e qytetarëve të Kosovës, pa ndihmën e vazhdueshme të NATO-s,SHBA-së dhe BE-së.
Kreu i legjislativit të vendit pastaj i bëri një vështrim të gjerë Pakos gjithëpërfshirëse të Ahtisarit, shpalljes ë pavarësisë së Kosovës, si dhe përpjekjet e Kosovës në planin e integrimit në institucionet ndërkombëtare. Në këtë frymë ai tha se Kosovën tashmë e kanë njohur 99 vende të botës, ndërsa është pranuar në FMN dhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim . Një arritur tjetër e madhe është se Kosova tashmë ka konsoliduar të gjitha institucionet shtetërore. Z. Krasniqi në vijim foli për Kushtetutën e Kosovës, e cila është bërë edhe me ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa duke folur për çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ai tha se ato janë të standardeve më të mira, jo vetëm në Rajon , por edhe më gjerë. Kryekuvendari Krasniqi pastaj foli edhe për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, për vendet e rezervuara që kanë deputetët e komuniteteve pakicë etj.
Në pyetjen rreth vizionit të Kosovës në të ardhmen , kryekuvendari Krasniqi tha se ndër qëllimet kryesore të vendit tonë janë sundimi i rendit dhe ligjit,zvogëlimi i papunësisë, lëvizja e lirë e të rinjve dhe qytetarëve të tjerë në Zonën Shengen dhe më gjerë në botë, si dhe anëtarësimi në strukturat euro-atlantike, që është alternativë thelbësore e të ardhmes së Kosovës.