Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës së 23 majit

E Enjte, 30.05.2013




Në vazhdimin e sotëm të seancës plenare të 23 majit, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët kanë votuar për Raportin vjetor të punës i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2012 dhe Raportin vjetor të punës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2012, të cilët ishin shqyrtuar javën e kaluar, por që për mungesë kuorumi nuk kishin arritur të votoheshin.

Kreu u Kuvendit, Krasniqi, i ka sqaruar deputetët me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se për këto raporte doemos nevojiten 61 vota "pro" të deputetëve.

Gjatë votimit raporti i parë ka marrë 67 vota deputetësh ( një votë ishte kundër dhe një tjetër abstenim), kurse për raportin tjetër kanë votuar 68 deputetë (tri vota kundër dhe një abstenim).

Deputetët, me 70 vota për, asnjë kundër dhe tri abstenime, kanë miratuar rekomandimet lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë, të dala nga debati parlamentar, i javës së kaluar.

Në Rekomandimet për Qeverinë e Kosovës ththeksohet:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës t'i vlerësojë dëmet në pyjet e Kosovës, të shkaktuara nga zjarret gjatë verës së vitit 2012.
2. Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të formojë një task-forcë për mbrojtjen e pyjeve brenda tridhjetë ditëve, deri në miratimin e Ligjit te pyjeve.
Me detyra si në vijim:
a. Menaxhimin e situatave emergjente, në raste të zjarreve.
b. Në parandalimin e prerjeve ilegale.
c. Në mbrojtjen nga sëmundjet,
d. Në ngritjen e efikasitetit të gjykatave në trajtimin me urgjencë të lëndëve me të cilat atakohen pyjet;
e. Heqjen e Inspektoriatit nga Agjencioni i pylltarisë, sepse është konflikt interesi dhe krijimin e Departametit të Inspektoriatit në ministrinë e Bujqësisë.
f.
3. Me ligj të definohen përgjegjësitë e menaxhimit të pyjeve në mes të nivelit qendror dhe lokal.

 

Nga vazhdimi i seancës së 23 majit