Lajmet e fundit

Kryetarja e GGD-së, Sahatqija, priti një grup të përfaqësueseve të familjarëve të martirëve të Kosovës

E Mërkure, 29.05.2013




Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija dhe deputetja Teuta Haxhiu, pritën një grup të grave përfaqësuese të familjarëve të martirëve të Kosovës. Delegacioni paraqiti kërkesën që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04-L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të trajtojë në mënyrë adekuate familjet e martirëve të luftës.
U kërkua, veçanërisht, ndryshimi i terminologjisë në ligj, pra që termi "viktimë civile" të shndërrohet në "martirë të luftës".
Kërkesat së bashku me nënshkrimet e kërkuesve për ndryshimin në projektligj, i paraqiti Kumrie Shala nga Zyra për kategoritë e dala nga lufta, në Pejë. Kurse për arsyet se pse duhet të ndryshohet ky ligj, folën Fatime Gashi nga Peja, Fahrije Hoti nga Krusha e madhe, Miradije Syla nga Reçaku etj.
Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, i njoftoi të pranishmet se ajo personalisht dhe deputetet janë shumë të interesuara që kategoritë e dala nga lufta të kenë trajtim adekuat. Ajo tha se është shumë e rëndësishme që të dihet edhe numri i të gjithë atyre që duhet ta gëzojnë këtë të drejtë dhe duhet të gjenden forma se si të rregullohet statusi i grave të dhunuara gjatë luftës.

Kryetarja e GGD-së, Sahatqija, priti një grup të përfaqësueseve të familjarëve të martirëve të Kosovës