Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 29.05.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2012, në të cilin takim ishin të pranishëm Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, si dhe Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson.
U theksua se raporti është me opinion të pakualifikuar dhe se pasqyrat financiare janë prezantuar drejtë dhe mirë. Nga nëntë rekomandimet e vitit paraprak, tri rekomandime janë adresuar plotësisht, katër sosh janë në proces, ndërkaq, dy nuk janë adresuar fare, për të cilat çështje dhanë sqarime përfaqësues të Avokatit të Popullit.
Bazuar në këtë raport, anëtarët e komisionit vlerësuan se është shënuar progres në këtë institucion karshi vitit paraprak, ndërkaq, kërkuan që të evitohen të gjitha të gjeturat nga auditori.