Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s
E Mërkure, 29.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot delegacionin e Nënkomisionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili drejtohet nga: Marit NYBAKK, kryetar i Komisionit (Norvegji), Beatriz RODRIGUEZ-SALMONES, nënkryetare (Spanjë), dhe Daniel BACQUELAINE, raportues (Belgjikë). Në takim merrnin pjesë edhe nënkryetarët e Kuvendit.
Pasi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të këtij delegacioni, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Parlamenti i Kosovës ka bashkëpunim mjaft të mirë me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, madje një grup i Kuvendit merr pjesë edhe në punimet e kësaj Asambleje. Kryekuvendari Krasniqi në vijim theksoi se bashkëpunimi me Asamblenë, Bashkimin e Evropian, ShBA-në dhe NATO-n duhet të avancohet edhe më, duke shprehur dëshirën që delegacioni i Kuvendit të jetë i përhershëm në Asamble dhe të ketë tre anëtarë, ne vend të dyve sa i ka tash. Në këtë mënyrë do të mundësohej që edhe opozita të ketë një përfaqësues në këtë delegacion.
Kreu i legjislativit të vendit pastaj i bëri një vështrim të gjerë zhvillimeve të gjithmbarshme në Kosovë, posaçërisht që nga marrja e vendimit për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, që ishte fryt rezultateve të Kosovës në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar. Përkitazi me Marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, që u bë nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, ai tha se Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë për raportet ndëretnike, për ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për Rajonin. Në këtë frymë ai shprehu dëshirën që më këtë Marrëveshje të përfundojë koha e konflikteve drejt normalizimit të marrëdhënie ndërmjet dy shteteve, që është në interes të Kosovës dhe Serbisë. Sendërtimi i kësaj Marrëveshjeje do të mundësojë që e kaluara të mos jetë pengesë për të ardhmen e brezave të ardhshëm dhe për stabilitet të përgjithshëm. Lidhur me prezencën e KFOR-it në Kosovë, kryekuvendari Krasniqi tha se KFOR- është mirëpritur nga të gjitha komunitetet në Kosovë dhe ka pasur mbështetje nga populli i Kosovës. Në këtë vështrim ai shprehu dëshirën që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-, ndërsa FSK-ja të shndërrohet në ushtri.
Kryekuvendari Krasniqi njoftoi gjerësisht delegacionin me punën e frytshme që bën Kuvendi i Kosovës në fushën e legjislacionit , i cili është në përputhje me standardet evropiane. Në këtë kontekst ai foli edhe për pjesëmarrjen e komuniteteve në përbërjen e legjislativit të vendit, si dhe për vendet e rezervuara për to.
Pas fjalës së kryetarit u shtruan shumë pyetje nga ana e disa anëtarëve të delegacionit, që kishin të bënin me proceset aktuale në Kosovë. Në pyetjen se si shihet procesi pas arritjes së Marrëveshjes Kosovë-Serbi, kryekuvendari Krasniqi tha se çështja e realizimit të Marrëveshjes varet shumë nga politika e Beogradit që do të ketë ndaj saj komunitetit serb në Kosovë. Ai pastaj foli edhe për të drejtat që gëzon komuniteti serb në mbështetje të Planit të Ahtisarit , sidomos në sferën e arsimit, shëndetësisë dhe në aspektin financiar që gëzon ky komunitet nga Serbia. Të gjitha të drejtat, tha ai, i gëzojnë dy të tretët e serbëve që jetojnë në brendi të Kosovës, ndërkaq, pengesat në veri të vendit dalin nga grupet kriminale serbe ,të cilat pengojnë inkuadrimin e serbëve të atjeshëm që të përfshihen në jetën institucionale. Në Kosovë ekziston vullnet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, që do të reflektojë edhe në integrimin evropian të të dy shteteve. Mirëpo, të gjitha sfidat e Kosovës do të jenë shumë të varura nga çështja e zhvillimit ekonomik, segment ky që në gjendjen e tashme nuk kënaq, duke ditur se ekonomia e Kosovës është rrënuar në vitet e fundit të shekullit ta kaluar, që si pasojë ka papunësinë shumë e lartë.
Lidhur me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti, tha se komuniteti serb në Kosovë me Kushtetutë të Kosovës është pozitë, ai në asnjë rast nuk është opozitë. KFOR-i në Kosovë, tha ai, është institucioni i jashtëm më i besueshëm në Kosovë. Ky është perceptim popullor. KFOR-i ka bërë në Kosovë veprime të dobishme, ndërsa tani po merr detyra të reja edhe sa i përket Marrëveshjes së Brukselit. Këtë marrëveshje, tha Hamiti, populli nuk e ka pritur me duartrokitje. Ndërkaq, fakti që në konferencën rajonale në Shkup, në të cilin nuk janë ftuar presidentja dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës tregon arrogancën e Serbisë kur është fjala për bashkëpunim rajonal. Z. Hamiti shfaqu drojën se pas qershorit do të ketë rënie në aspektin e sendërtimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, duke theksuar se nuk ka edhe garanci të duhur evropiane për realizimin e kësaj Marrëveshjeje. Ndërkaq, duke i bërë një vështrim të drejtave që kanë serbët në Kosovë, ai theksoi se në anën tjetër komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës nuk gëzon as të drejtat elementare politike e njerëzore.