Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 28.05.2013




Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe, ishte temë e debatit të sotëm, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga nënkryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija.

Gjatë debatit, përpos përfaqësueses së INDP-së, Mirdita Dobraja, e cila tha se Ligji ka diskrepancë në dispozitat e tij ligjore, pjesëmarrësit e tjerë vlerësuan se ai i plotëson të gjitha nevojat dhe standardet e kërkuara.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Blerim Ahmeti, tha se Ligji ka filluar së implementuari në mars të vitit 2012, dhe sqaroi se është i përshtatur me ligjet ndërkombëtare të kësaj fushe si edhe me rrethanat në Kosovë. Përfaqësuesi i Agjencionit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, duke folur për masat e marra nga MTI-ja, për vendimin e saj e cila pat vendosur masa mbrojtëse në favor të kompanisë " Sharr Cem", vlerësoi se ato kanë çrregulluar tregun. Me këtë rast, ai tha se kompanitë që gëzojnë këtë masë, duhet të kenë kujdes që t'mos keqpërdorin pozitën dominuese. Fjalë miradije për Ligjin tha edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili bëri thirrje për zbatimin e plotë të tij. Përfaqësuesit e tjerë, ata nga Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit dhe përfaqësuesi i kompanisë "Besimi Comerc", Ligjin e vlerësuan të përshtatshëm. Ata po ashtu vlerësuan se në Kosovë nuk ka damping çmimesh.

Mendim të kundër, ndërkaq, paraqitën përfaqësuesit e kompanisë " Sharr Cem" dhe përfaqësuesi i fabrikës së përpunimit të miellit" M Sillosi". Përfaqësuesi i Sharr Cem-it, përkatësisht drejtori, Emanuell Micun, vlerësoi se Ligji nuk është duke u zbatuar. Ai këtë e ilustroi me faktin se MTI-ja pas një presioni nga opinioni publik, ka hequr masat mbrojtëse ndaj saj. Sipas tij, heqja e masave, kompaninë e ka sjellë në pozitë të vështirë ekonomike dhe komprimituese. Si pasojë e saj, tha në vijim ai, kompania nuk mund të implementojë programin e vetë investues. Ai me këtë rast bëri thirrje për trajtim të veçantë të investitorëve të jashtëm, duke i bindur se ekonomia kosovare është e përqendruar në ekonomi prodhuese e jo në ekonomi të importit. Përfaqësuesi i fabrikës së përpunimit të miellit " M Sillosi", Vilfiger Seder Gerarad, insistoi të faktojë se ka damping të çmimeve. Këtë, sipas tij e shkakton lënda e parë, përkatësisht gruri i importuar nga Serbia. Lidhur me këtë, deputeti Shaip Muja, vlerësoi se sikurse bujqit, duhet stimuluar edhe siloset prodhuese. Muja po ashtu shfaqi mospajtim me përfaqësuesin e Sharr Cemit, duke ngritur edhe çështjen e ndotjes së ambientit. Pyetjes së deputetit, Hashim Deshishku, ndërkaq, se ç'lëndë të parë ka importuar Sharr Cem, Micun tha se dogana padrejtësisht e ka klasifikuar atë si çimento. "Sipas analizave që ne posedojmë, ajo ka qenë lëndë e parë", sqaroi ai. Në këtë debat u angazhuan edhe anëtarët e tjerë të Komisionit: Sala Berisha -Shala, Lutfi Zharku dhe Ramiz Kelmendi.

Pas debatit lidhur me implementimin e këtij Ligji, Sahatqija i siguroi të pranishmit se vërejtjet dhe rekomandimet e paraqitura do të merren parasysh dhe do t'i rekomandohen Ministrisë për implementimin e tyre.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...