Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të shoqatës Vatra
E Marte, 28.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion të shoqatës "Vatra" me seli në Gjilan, gjatë të cilit u diskutua lidhur me debatin që pritet të zhvillohet këtë të premte në Kuvend, për të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe mundësinë e nxjerrjes së një rezolute.
Kryetari i shoqatës, Sejdulla Kadriu, duke folur për peshën e këtij debati, miratimin eventual të rekomandimeve e konsideroi të një rëndësie të veçantë për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kryeparlamentari Krasniqi, pasi u solidarizua me kërkesat e përfaqësuesve të shoqatës "Vatra", potencoi përkushtimin e tij për ndjekjen e procedurave parlamentare për çdo çështje diskutimi në Kuvend. Krasniqi tha se debati në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje, paraqet një mesazh përkrahjeje për shqiptarët e kësaj treve shqiptare.