Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 27.05.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtuan dhe u përkrahën propozim amendamentet e grupit punues në Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Ndërkaq, shqyrtimi i raportit vjetor të punës së Agjencisë për ndihmë juridike falas, për vitin 2012, është hequr nga rendi i ditës, pasi anëtarët e komisionit shfaqën vërejtje dhe shqetësime të shumta për këtë raport. Ata kërkuan nga përfaqësues të kësaj agjensie që ta tërheqin raportin, ta përmirësojnë dhe më pas ta sjellin për shqyrtim në komision.

Anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe malluar me tarifë zero të tatimit doganor, si dhe raportin plotësues të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Projektligjin nr. 04/L-185 për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimeve të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë. Me këtë rast ata rekomanduan që këto dy çështje t'i kthehen komisionit funksional.

Më tej, anëtarët e komisionit u njoftuan edhe lidhur me mandatin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Agjensisë Kosovare të Pronës. Mes tjerash ata kërkuan që KGJK-ja dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës të raportojnë në komision, ndërsa shfaqën shqetësimin e tyre lidhur me dorëheqjen e anëtares së KGJK-së për të cilën çështje nuk është njoftuar komisioni.
Më tej anëtarët e komisionit diskutuan edhe për mundësinë e monitorimit të Ligjit të Agjensisë Kundër Korrupsionit. Për këtë çështje u formua një grup punues.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion