Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 27.05.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që të enjten, më 30 maj të vazhdojë seanca e papërfunduar e 23 majit për të miratuar : Raportin vjetor të punës i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2012, Raportin vjetor të punës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2012, si dhe rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë.

Në të njëjtën ditë do të mbahet edhe seanca e rregullt e Kuvendit. Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë: Projektligjin për produktet e ndërtimit, Projektligjin për treguesit gjeografik dhe Projektligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë.

Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Raporti vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, për vitin 2011.

Në këtë seancë do të ratifikohen vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, në Gjilan dhe në Mitrovicë dhe të miratohen Statuti i Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren, si dhe ai i Universitetit "Haxhi Zeka" në Pejë.

Ditën e premte, më 31 maj, në orën 10:00, ndërkaq, do të zhvillohet një seancë tjetër e rregullt, në të cilën do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (sipas kërkesës së deputetit Lutfi Haziri, i mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues). Seanca do të ndërpritet për të filluar seanca përkujtimore kushtuar dëshmorëve Rasim Kiqina dhe Ali Ajeti, për të vazhduar pastaj seanca për debatin parlamentar.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë janë shqyrtuar propozimi i Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, si dhe kërkesa e Grupit Parlamentar " Ardhmëria e Përbashkët"("Zajednièka Bbuduænost") për përfaqësim në strukturat relevante të Kuvendit. Kryesia ka kërkuar nga këto dy grupe parlamentare që deri ditën e shtunë të merren vesh për përfaqësim në strukturat e Kuvendit.

Duke e marrë njoftimin e z. Blerim Rexha për dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të Agjencisë së Privatizimit dhe e znj. Dardane Pejës për dorëheqje nga pozita e anëtares së Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, anëtarët e Kryesisë kanë vlerësuar se njoftimi i tillë edhe pse formalisht i ligjshëm, është esencialisht i pamjaftueshëm. Për më tepër është vlerësuar se as deputetët nuk janë treguar në krye të detyrës, duke mos këmbëngulur që çështja të shtrohet për debat në Kuvend.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës