Lajmet e fundit
U mbajt Takimi i 10-të i Evropës Juglindore - Lutjet e Mëngjesit në Kosovë
E Shtune, 25.05.2013
Drejtues të institucioneve të vendit, deputetë dhe personalitete nga jeta politike, kulturore dhe religjioze e vendit, si dhe mysafirë nga shtetet fqinje e vende të ndryshme të botës, kanë marrë pjesë në takimin e 10-të të Evropës Juglindore - Lutjet e Mëngjesit në Kosovë, i cili u mbajt sot në Hotelin "Emerald" në Prishtinë.
Duke e hapur këtë takim dhe duke falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Adem Grabovci, tha se Kosova ka arsye të fuqishme që sot të ndihet më mirë se zakonisht, sepse, siç u shpreh ai, pranë saj gjenden mysafirë të respektuar, me ndikim të veçantë në politikëbërjen nacionale e globale.
"Sot jemi në një vend që vite më parë s'kishte mundësi të ndante shpresën, paqen dhe besimin në Zot, në të njëjtën mënyrë që ndanë me ju sot", theksoi Grabovci, duke e konsideruar këtë ditë si njërën ndër ditët më të veçanta për Kosovën, si ngjarje që po bashkon liderët botërorë, politikë e fetarë të koncepteve të ndryshme politike e kulturore, me të vetmin qëllim, që të tregojë se Republika e Kosovës, si shtet i ri po angazhohet për të kontribuar fuqishëm për paqen dhe pajtimin global.
"Sot ndihem krenar që së bashku me miqtë tanë, arritëm të organizojmë ngjarjen më madhore e cila mundëson përafrimin e bindjeve tona, të bazuara në dinjitetin njerëzor, ballafaqimin e të kaluarës dhe besimin e bazuar në dashurinë e pakufishme për një botë më të mirë, që të mundësojë krijimin e paqes për gjithë njerëzimin", u shpreh deputeti Grabovci.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputeti Lutfi Haziri, theksoi se Zoti dhe besimi në të, bën që të kemi besim në familje, në shtet, në liri, në paqe dhe tolerancë. Ai tha se Kosova po bëhet shembull i mirë i tolerancës. "Kosova mund ta ndajë traditën e tolerancës fetare dhe po hyn në rrugën e mirë të tolerancës ndëretnike. Ajo është shembull i mirë i tolerancës politike. Natyrisht që duhet të punojmë edhe më shumë, që paqja ta prekë çdo individ, çdo familje, çdo grup etnik dhe çdo popull kudo që jeton", theksoi Haziri, duke shtuar se Kosova është një shembull i mirë, që edhe pse e dalë nga një luftë e egër, e përcjellë me spastrim etnik dhe forma të tjera gjenocidiale, tregoi se revanshizmi nuk është sjellje e cila duhet të ndodhë.
"Ne u desh të tregojmë që duke ofruar mundësinë që çdo njeri të jetojë i lirë dhe në paqe, duke garantuar rolin e tij në shoqëri dhe duke e integruar në jetën tonë, bëhemi ata që çojmë mesazhin tonë gjithkund në botë", u shpreh Haziri.
Kongresisti amerikan Bob McEwen, tha se Lutjet e Mëngjesit janë një traditë tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se ekzistojnë tri burime të pushtetit: fuqia ekonomike, ushtarake apo politike dhe ajo shpirtërore. Qëllimi i këtyre lutjeve, sipas tij, nuk është as ekonomik e as politik, por është një konferencë shpirtërore duke e kuptuar se fryma e Zotit sjell lirinë.
"Janë të bekuara kombet të cilat në brendinë e tyre e kanë Zotin dhe besimin", tha Bob McEwen, i cili bëri edhe lutjen.
Kongresisti tjetër, Robert Alderhort, tha se ishte nder për të që të kthehej sërish në Kosovë pas disa vjetësh, ku vlerësoi se kishte parë ndryshime të shumta. Ai siguroi të pranishmit se në Kongresin Amerikan ka shumë miq të Kosovës dhe rajonit. Alderhort tha se në Uashington, republikanë e demokratë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund t'i kenë për çështje politike, ata bashkohen çdo javë, diskutojnë dhe luten së bashku.
"Ne e lusim Zotin që ta bekojë Kosovën në rrugën e saj përpara", theksoi kongresisti Alderhort.
Presidentja Atifete Jahjaga tha se Republika e Kosovës është në një moment shumë të rëndësishëm të fuqizimit të shtetit, duke e pasur për prioritet interesin e secilit qytetar. Ajo tha se Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe është një shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie.
"Kjo lutje është një mundësi që së bashku, me të gjitha dallimet që secili prej nesh ka në vete, të ndalemi dhe të mendojmë për veprimet tona të deritanishme dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre. Vendimet e liderëve kanë të bëjnë me përditshmërinë dhe cilësinë e jetës së secilit qytetar, andaj të ndalemi dhe të analizojmë se mos sfidat e përditshme na kanë bërë të harrojmë atë që është qenësore, respektin për jetën e njeriut", tha presidentja Jahjaga.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kujtoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës, për t'iu përkushtuar paqes dhe pajtimit në rajon. Duke e konsideruar marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si një kthesë të madhe për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit, Thaçi tha se me këtë marrëveshje nuk ka humbës.
"Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta mbyll një kapitull të dhimbshëm dhe nxitës, e kjo është çështja e veriut të Kosovës. Tash e 14 vjet ky rajon ishte bërë oazë e joligjshmërisë dhe qytetarët serbë atje janë po aq të interesuar të jetojnë të sigurtë me një perspektivë të vërtetë për jetë, biznes dhe familje", theksoi Thaçi. Ai shtoi se pas 100- vjet konfliktesh e problemeve, më në fund, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje paqeje.
"Me të fitoi paqja, fitoi Kosova, fitoi Serbia, fitoi rajoni, fito BE-ja, investimi i saj, i SHBA-së, i NATO-s. Fituan të gjithë", tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, kujtoi iniciativën e para tetë vjetëve për krijimin e subjektit politik që ai udhëheq, duke konsideruar se misioni i këtij subjekti është që të mos i ndaj njerëzit. Ai tha se Kosova është vend ku të gjithë janë të mirëseardhur dhe se kishte të drejtë kur kishte thënë që në Kosovë mund të ketë paqe dhe që njerëzit të mos urrehen.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ngjarjen e sotme e konsideroi takim me miqtë që i kanë ndihmuar Kosovës në kohët më të vështira, takim me fqinjët, me të cilët i ndanë të mirën e të keqen, problemet zhvillimore, preokupimet për integrime evropiane, por edhe pasojat nga lufta e kaluar.
"Qytetarët e Kosovës kanë qenë dhe janë paqedashës. Ata asnjëherë nuk u dorëzuan në përpjekjet e tyre për liri dhe për paqe. Të udhëhequr në një periudhë nga lideri ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, ne i dëshmuam botës se nuk do të kursejmë asgjë për ta ndërtuar një Kosovë ku të gjithë janë të barabartë dhe ku diversiteti konsiderohet si vlerë e posaçme e jona dhe respektohet", theksoi Mustafa, duke shtuar se është me rëndësi që qytetari ta përjetojë lirinë në çdo vend.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se në Kosovë dhe në Ballkan përgjithësisht, nevojitet shumë punë. Ai tha se ndërtimi i paqes tashmë është edhe praktik.
"Ne duhet ta ndërtojmë jetën tonë, atë ekonomike, rendin dhe ligjin, duhet avancuar me qeverisje. Në rast se zhvillohemi ne në Kosovë, besoj që do të përfitojë secili fqinj yni. Në rast se ne kemi vështirësi, ato do të ndërlidhen me fqinjët tanë. Dhe, në rast se na njohin edhe të pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, besoj se ato i ndihmojnë regjionit", vlerësoi Haradinaj.
Ndërkaq, veprimtari Adem Demaçi, tha se të gjithë ne, së pari jemi njerëz, pastaj shqiptarë, serbë, malazezë, gjermanë, japonezë etj. Në vazhdim ai bëri disa lutje.
"Na frymëzo o zot që edhe ne ta ndjejmë veten si pjesën tonë dhe ne ta ndjejmë veten si pjesë të njerëzimit, që të kemi fuqi t'i luftojmë ata që janë kundër të drejtave të njerëzimit", u shpreh Demaçi.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, pjesëmarrjen e kongresistëve amerikanë në këtë ngjarje e cilësoi një tregues se SHBA-ja vazhdon përkushtimin ndaj Kosovës dhe rajonit.
"Kam kënaqësinë e veçantë të shoh se këto Lutje të Mëngjesit janë organizuar këtu në Kosovë, një vend që ka traditë të pasur të bashkëjetesës paqësore. Është e mrekullueshme që kemi këtë Konferencë dhe këto Lutje Mëngjesi në këtë kohë", theksoi ambasadorja Jacobson, duke kujtuar lutje nga fëmijëria e saj.
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, evokoi kujtime nga nisma për organizimin e një ngjarjeje të tillë edhe në Evropën Juglindore, 10 vjet më parë. Ai tha se Shqipëria ishte vendi i parë i regjionit që organizoi Lutjet e Mëngjesit. Pajtimi për mbajtjen e tyre sivjet në Kosovë, Mediu tha se është bërë gjatë shënimit të kësaj ngjarjeje në Mal të Zi, vitin e kaluar.
"Jemi këtu për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për këtë pjesë të botës", theksoi ai.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, ndërkaq, tha se njerëzit, të cilëve fati u ka ngarkuar mbi supe përgjegjësitë historike për ardhmërinë e komuniteteve dhe popujve, duhet të kenë më shumë energji pozitive. Në të kundërtën, ai tha se nga energjitë negative buron jotoleranca, dhuna dhe luftërat.
"Sot është koha kur të gjithë duhet të lutemi për më shumë fqinjësi të mirë, për më shumë dialog, për më shumë falje, sepse në hasmëri shekullore nuk jetohet", u shpreh Ahmeti.
Ministri i kabinetit qeveritar në Mal të Zi, Branimir Gvozdenoviq, u angazhua për unitet rreth besimit se toleranca sjell kualitet më të mirë të jetës.
Në të njëjtën frymë u shpreh edh ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlladimir Bozhoviq. Ai pasi foli për opinionet politike të serbëve në Kosovë dhe të atyre në Serbi, u shpreh se nuk mund të ketë të drejta të veçanta vetëm për një njeri apo komunitet, por të drejta universale për të gjithë njerëzit.
Në frymën e tolerancës dhe rëndësinë e besimit të ndërsjellë mes njerëzve, folën edhe deputetja Alma Lama e zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, si dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës: Marcus Decker, Pachara Nariptham, Vilma Trajkovski, Monunzer Fatfat, Svetllana Boyanova, Lary Ros, Karolina Pavlloviq, Gëzim Hajdinaga, Ragmi Mustafa, dhe Dimitris Varvadis.
Ceremonia e sotme e Lutjeve të Mëngjesit u përmbyll duke përçuar mesazhe për besim më të madh në Zotin dhe tolerancë më të madhe ndërmjet njerëzve e komuniteteve në Kosovë dhe në botë.
Nesër, për mysafirët organizohen shëtitje në pjesë të ndryshme të Kosovës.