Lajmet e fundit

Kuvendi organizoi pritje për pjesëmarrësit e Takimit të 10-të të Evropës Juglindore-Lutjet e Mëngjesit në Kosovë

E Premte, 24.05.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka organizuar, në orët e mbrëmjes, pritje për pjesëmarrësit e Takimit të 10-të të Evropës Juglindore-Lutjet e Mëngjesit në Kosovë , i cili do të mbahet ditën e shtunë në Hotelin Emerald në Prishtinë.

Pritjen në Kuvend, në të cilin merrnin pjesë personalitete nga jeta politike, kulturore dhe religjioze të vendit, si mysafirë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, e kanë deklaruar të hapur deputetët: Adem Grabovci, kryetar Grupit Parlamentar të PDK-së dhe Lutfi Haziri kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane. Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë mysafirëve të lartë, ata kanë shprehur kënaqësinë që Takim i 10-të bahet në Kosovë , qëllimi i së cilës është paqja dhe mirëqenia, jo vetëm për Kosovën dhe Rajonin, por për gjithë botën.

Duke iu drejtuar një fjalë rasti pjesëmarrësve të Lutjeve të Mëngjesit në Kosovë , kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ndër të tjera ka theksuar :

."Një manifestim ndërkombëtar, i cili adreson çështje madhore të botës së sotme, siç janë paqja e pajtimi, toleranca e mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe dialogu, merr rëndësi të veçantë për rajonin tonë në përgjithësi dhe për Kosovën e re, në veçanti. I njohur në të kaluarën e errët si fuqi baroti dhe burim krizash e konfliktesh, urrejtjesh e hasmërish, Gadishulli ynë ka hyrë besoj përfundimisht, në epokën e stabilitetit, të paqes e të marrëveshjeve". Duke konstatuar se bota e sotme, bazën dhe perspektivën e ka në diversitet dhe harmoni, ai është shprehur i bindur se . banorët e globit tonë kanë hapësirë dhe kushte të mjaftueshme për të jetuar, pa pasur nevojë të përjashtohet askush nga shtëpia jonë e përbashkët." Kemi nevojë të përjashtojmë vetëm konfliktin në filozofinë tonë politike, sepse është e mundur të zgjidhet çdo mosmarrëveshje dhe çdo kontest me mjete paqësore dhe demokratike, mjafton të ketë një vullnet të mirë dhe të përbashkët", ka theksuar kreu i Kuvendit.

"Ka shumë shembuj në botë, që popujt dhe vendet, pas konflikteve të përgjakshme dhe shumëvjeçare, i janë kthyer dialogut, kompromisit e mirëkuptimit për zgjidhjen definitive të kontesteve dhe mosmarrëveshjeve", ka pohuar Krasniqi duke shtuar se Republika e Kosovës, e përcaktuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit dhe të zgjidhjes së problemeve në frymën evropiane, në interes të ndërsjellë, të paqes e të stabilitetit dhe në shërbim të një jetë më të mirë e më dinjitoze të qytetarëve, është shprehur e gatshme për bisedime në kërkim të zgjidhjeve më të mira, më të drejta dhe më të qëndrueshme, për çështje të hapura.

Ai pastaj ka folur për angazhimin qytetar e institucional të Kosovës, në drejtim të perspektivës evropiane, për paqe e siguri të qëndrueshme, stabilitet, zhvillim demokratik dhe ngritje të fuqishme ekonomike.

Në vazhdim Krasniqi ka folur për të drejtat e liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, të cilat, është shprehur ai, sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, madje përtej tyre. Ai ka folur edhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova dhe për sjelljen e saj në përputhje me parimet e njohura demokratike dhe konform të drejtës ndërkombëtare.

"Në këto çaste lutjesh, ne do të lutemi për paqen e mirëqenien",ka theksuar Krasniqi, i cili ka shprehur nevojën që me vullnetin dhe me duart tona të ndërtojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, të ndërtojmë ura miqësie e solidariteti, të edukojmë frymën e tolerancës e të koekzistencës, të bashkëpunimit e të mirëkuptimit.

Pjesëmarrësve u është drejtuar edhe kongresisti amerikan nga Okllahoma, Robert Adelhorff, i cili ka sjellë përshëndetjet nga Grupi i Lutjeve të Mëngjesit në Kongresin Amerikan. Ai ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovë, në të cilën ka parë ndryshime të mëdha pozitive." Gjëja më e mrekullueshme është t'i mbajmë Lutjet e Mengjesit këtu, të lidhemi bashkë dhe të gjejmë pajtimin, ka theksuar kongresisti Adelhorf, duke uruar: "Zoti e bekoftë Kosovën".

Takimi ka vazhduar me një koktej rasti për pranishmit.

 

Kuvendi organizoi pritje për pjesëmarrësit e Takimit  të 10-të të Evropës Juglindore-Lutjet e Mëngjesit në Kosovë Kuvendi organizoi pritje për pjesëmarrësit e Takimit  të 10-të të Evropës Juglindore-Lutjet e Mëngjesit në Kosovë Kuvendi organizoi pritje për pjesëmarrësit e Takimit  të 10-të të Evropës Juglindore-Lutjet e Mëngjesit në Kosovë