Lajmet e fundit
Deklaratë me rastin e Javës së Tolerancës në Kosovë
E Premte, 24.05.2013
Me rastin e "Javës së Tolerancës në Kosovë", kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, jep këtë Deklaratë, në të cilën theksohet:"
Në secilin vend të botës, në cilën do formë që të përkujtohet Holokausti, që në ndërgjegjen e mbarë njerëzimit është shndërruar në sinonim të gjenocidit, për popullin shqiptar të Kosovës ky gjenocid rikujton periudhën e ballafaqimit me strategjinë shfarosëse të Serbisë.
Në manifestimet lidhur me strategjinë e gjenocidit që u aplikua ndaj hebrenjve, sot populli shqiptar kujton me krenari solidaritetin dhe sakrificat që bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore për mbrojtjen e hebrenjve.
Në kuadër të veprimtarive që organizohen gjatë "Javës së Tolerancës në Kosovë", duhet të ngrihet një Pllakë përkujtimore në respekt të të gjithë atyre që sakrifikuan për të mbrojtur hebrenjtë përballë inkuizicionit nazist. Ne sot mburremi që jemi i vetmi popull në botë ku hebrenjtë u mbrojtën në mënyrë kolektive.
Populli shqiptar i Kosovës, i cili përjetoi pasoja të rënda nga politika gjenocidale e regjimit të Beogradit, ka nevojë për mbështetje dhe solidaritet të gjithanshëm edhe nga shteti i Izraelit, i cili duhet të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Njoha e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shteti i Izraelit dhe solidariteti politik do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të ishte një mirënjohje ndaj popullit shqiptar të Kosovës".