Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 23.05.2013




Në mbledhjen e sotme të rregullt të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të saj e kanë kryesuar nënkryetarët: Xhavit Haliti, dhe Glauk Konjufca), deputetët kanë shqyrtuar Raportin vjetor të punës i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2012 dhe Raportin vjetor të punës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2012, kurse kanë debatuar lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë, sipas kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Në fillim si rëndom, deputetët kanë bërë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe kanë shtruar pyetje parlamentare për punën e qeverisë së Kosovës.

Duke marrë shkas nga shqetësimet e përfaqësuesve të disa grupeve parlamentare lidhur me kontratën e përfolur për „Trepçën" të arritur ndërmjet Serbisë dhe një firme amerikane, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar „ Kryeministri dhe unë kemi qenë në kontakt për gjoja një kontratë për „Trepçën" me një kompani amerikane. Ai është shprehur i bindur se pas deklarimit të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë për qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, çështja është sqaruar. Ai me këtë rast ka pohuar se për Qeverinë e Kosovës kjo kontratë konsiderohet e paqenë dhe e pavlefshme dhe se ekzekutivi i vendit mbetet i përkushtuar për ruajtjen e pasurive nacionale të Kosovës.

„Trepça" është e ndarë dhe ajo duhet të jetë një", ka thënë, kryeparlamentari Krasniqi, duke u inkuadruar në debatin për çështjen e ngritur dhe për shfrytëzimin joligjor të pasurive të Kosovës. „ Kjo që ka ndodhur me atë marrëveshje duhet të jetë sinjal që të mendojmë më kthjelltë për pasojat e praktikave të faljes së pasurive tona kombëtare", ka thënë kreu i Kuvendit, duke mbajtur qëndrim që „Trepça" nuk mund të privatizohet pa pëlqimin e dy të tretave të përfaqësuesve të popullit të Kosovës.

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të punës i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2012, raportet me rekomandime i kanë paraqitur kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Nait Hasani dhe kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, të cilët kanë sugjeruar miratimin e tij. Raportin e kanë mbështetur edhe grupet parlamentare, por ka munguar kuorumi i deputetëve për ta miratuar. Njësoj ka ndodhur edhe me Raportin vjetor të punës i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2012, për të cilin pasi raportet me rekomandime i kanë arsyetuar, Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe Safete Hadërgjonaj nga komisioni për Buxhet dhe Financa.

Duke e arsyetuar kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për debat parlamentar lidhur me gjendjen e pyjeve në Kosovë, Nait Hasani, kryetar i këtij komisioni ka theksuar se gjate vitit te kaluar kemi konstatuar se pyjet e Kosovës janë në rrezik të përhershëm të dëmtimit e dhe shkatërrimit të tyre nga mosfunksionimi i mirë i menaxhmentit dhe për mungesë të kapaciteteve për mbrojtje në nivel të duhur.

„Pyjet si pasuri kombëtare e Kosoves dhe qytetareve të saj janë në gjendje të mjerueshme dhe në shkatërrim e sipër, ka theksuar Hasani, duke konstatuar se të gjitha vendet e rajonit i kanë pyjet më të mbrojtura sesa janë pyjet në Kosove, e duke pohuar se të gjitha ato vende kanë legjislacion të qartë në mbrojtjen e pyjeve, të cilat i shohin si pasuri kombëtare.

Ai ka spikatur se pyjet po dëmtohen nga papërgjegjësia dhe abuzimi me kompetencat për menaxhimin e tyre, duke krijuar ndërvarësi dhe konflikte interesi. Ai ka pohuar se Komisioni ka konstatuar se në Kosovë janë shkaktuar numër i madh i zjarreve nga vet natyra , por edhe zjarre të qëllimshme me synim përfitimi të pastajshëm nga masa drusore. Duke u bazuar në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme - Departamenti i Emergjencës, ka theksuar se në Deçan dhe në Koretnik janë djegur me qindra hektarë me pyje te mbrojtura Pishë rrobull, që ekzistojnë veten në këto bjeshkë.

Hasani ka pohuar, ndërkaq, se anëtarët e Komisionit që kanë konstatuar gjendjen e pyjeve në terren shpeshherë janë kërcënuar fizikisht nga banorë të nxitur nga njerëz të Agjncionit për të kundërshtuar ligjet e parqeve nacionale , si në Peje e Deçan , Rugovë , Istog e Dragash. Ai ka kërkuar që të ndryshohet tërësisht politika për pyjet dhe ka propozuar disa rekomandime për Qeverinë dhe Ministrinë e Bujqësisë për ta përmirësuar gjendjen dhe ndërprerë degradimin e pyjeve.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, pasi ka folur për rëndësinë e biodiversitetit ka pohuar përkushtimin e ministrisë, të cilën e drejton, për ruajtjen dhe kultivimin e pyjeve. Ai ndërkaq ka pohuar gjendjen jo të mirë të pyjeve dhe shkatërrimet nga prerësit ilegalë të tyre, duke shfaqur pakënaqësinë e tij për dënimet e ulëta gjyqësore për dëmtuesit e pyjeve. Ai ka përmendur edhe zjarrvëniet e qëllimshme me synim përfitimi nga pyjet e dëmtuara. Ai ka lavdëruar pjesëtarët e FSK-së, të cilit kanë marrë pjesë aktive në shuarjen e zjarreve nëpër pyjet e Kosovës, ndërkaq ka përmendur edhe 19 punëtorë shtesë për ruajtjen e pyjeve, duke e ftuar pushtetin komunal që të ndihmojë në mbrojtjen e pyjeve.

Duke e marrë fjalën në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Njazi Idrizi, pasi ka konstatuar gjendjen jo të mirë të pyjeve të Kosovës, ka pohuar se 60 për qind e sipërfaqeve pyjore të Kosovës në pronësi shtetërore japin vetëm 22 për qind të prodhimit vjetor të masës drusore , ndërkohë që pronarët privat të 40 për qind të pyjeve sigurojnë rreth 78 për qind të të prodhimit legal të drurit, që tregon për kujdesin e privatëve për pyjet e tyre, po edhe për abuzimet e gjëra me pyjet në pronësi të shtetit.

Si rrugëzgjidhje të problemit ai i ka parë reformat e politikave për pyjet, harmonizimin e ligjeve, hartimin e planeve strategjike dhe arsimimin dhe vetëdijesimin për rëndësinë jetësore dhe ekonomike të pyjeve.

Sali Morina, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka shprehur shqetësimin për gjendjen e rëndë të pyjeve, sidomos në sektorin publik. „Për gjendjen e krijuar të pyjeve fajet barten nga Ministria e Bujqësisë, tek Agjencioni i Pyjeve, e nga ai u hidhen komunave", ka theksuar Morina.

Liburn Ali, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, ka konstatuar se gjendja e pyjeve sa vjen e po përkeqësohet për shkak të kujdesit të pakt dhe prerjeve të paplanifikuara, gjithnjë në rritje. Ai ka tërhequr vëmendjen për , siç e ka quajtur, katastrofën e krijuar në pyjet e Jezercës së Ferizajt dhe për dështimin e pyllëzimit.

Time Kadriaj , në emër të AAK-së, ka theksuar se Qeveria nuk ka treguar kujdesin e nevojshëm për pyjet. Duke ngritur shqetësimin për rrezikimin edhe të florës dhe të faunës së Kosovës nga prerjet ilegale të pyjeve, ajo si rrugëzgjidhje të problemit e ka parë ndryshimin e politikave për pyjet ; krijimin e bazës ligjore, si dhe ndarjet e sipërfaqeve pyjore sipas rëndësisë që kanë dhe destinimit të tyre.

Sevdije Lama, në emër të KKR-së,ka theksuar se Projekti i Agjencisë së Pyjeve ka qenë serioz por jo shumë i efektshëm për mbrojtjen e pyjeve. Ajo është shprehur se Ligji për parqet nacionale, duke mos qenë i harmonizuar me Ligjin për pyjet, po shkakton probleme për mbrojtjen e pyjeve.

Biserka Kostiq, në emër të Grupit Parlamentar Ardhmëria e Përbashkët, ka konstatuar gjendjen shumë të keqe të pyjeve të Kosovës, duke theksuar se ato po dëmtohen përditë, ndërkohë që gati askush nuk përgjigjet për shkatërrimin e tyre.

Emilia Rexhpei, në emër të Grupit Parlamentar 6+, ndërkaq, ka spikatur për alleshvereshet që bëhen me tenderët për shfrytëzimin e pyjeve dhe për papërgjegjësinë e administratorëve për mbrojtjen e tyre.

Edhe deputetët e shumtë, pjesëmarrës në debat, kanë konstatuar gjendjen e rëndë të pyjeve të Kosovës dhe kanë dhënë propozime për përmirësimin e gjendjes.

Në përfundim të debatit propozuesi i debatit, kryetari i Komisionit për Bujqësi, Nait Hasani i ka propozuar miratimin e rekomandimet për Qeverinë dhe Ministrinë e Bujqësisë, të cilat nuk janë nxjerrë në votim për mungesë të kuorumit të seancës.

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit