Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane u takua me anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë
E Enjte, 23.05.2013
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, u takua sot me anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë.
Temë diskutimi në këtë takim ishte bashkëpunimi midis këtyre dy komisioneve parlamentare, me theks të veçantë përvojat e shtetit maqedon lidhur me integrimet evropiane, anëtarësimin e Kosovës në organizata regjionale, si dhe për çështje tjera që janë në interes të dy shteteve fqinje.
Gjatë këtij takimi u vlerësua se Maqedonia dhe Kosova do ta ndihmojnë njëra tjetrën në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se në të gjitha fushat do të thellohet bashkëpunimi.
Pasi kryetari i Komisionit, Lutfi Haziri, informoi delegacionin lidhur me progresin e Kosovës në kuadër të përmbushjes së kritereve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë, Hajrula Misini, tha se Maqedonia ka marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me Kosovën, ndërsa shtoi se akoma duhet thelluar bashkëpunim bilateral ndërmjet këtyre dy shteteve dhe se duhet të ndihmohet Kosova në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Delegacioni nga Maqedonia vlerësoi se janë të gatshëm të ofrojnë përvojat e tyre të deritanishme në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe në të gjitha segmentet tjera. Me pas ata informuan edhe për Konferencën e tetë të Komisioneve parlamentare për Integrime Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit (COSAP), nikoqire e së cilës është Maqedonia, si dhe shqyrtimin e mundësisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatën rajonale.
Ata vlerësuan se Kosova duhet të aderojë sa më shpejt në forumet ndërkombëtare, BE dhe NATO, ndërsa theksuan se mbështesin edhe bisedimet e Kosovës me Serbinë.
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, vlerësuan se bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve duhet të ndërtohet në shumë nivele dhe se mes këtyre dy vendeve nuk duhet të ketë asnjë pengesë, ndërkaq falënderuan delegacionin maqedon edhe për mbështetjen e këtij shteti që i ka dhënë Kosovës në Këshillin e Evropës.