Lajmet e fundit

Komisioni i Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut..., takoi Komisionin për Çështje Evropiane nga Parlamenti i Maqedonisë

E Enjte, 23.05.2013




Në vazhdën e takimeve që është duke realizuar gjatë vizitës së tij në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Çështje Evropiane nga Parlamenti i Maqedonisë, i prirë nga Hajrulla Misini, u prit sot edhe nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobërdali, i njoftoi ata për fushëveprimtarinë e Komisionit, të arriturat dhe sfidat në të cilat hasin në përmbushjen e obligimeve dhe objektivave të tyre. Duke folur për synimet e këtij Komisioni, Novobërdali u fokusua në angazhimet e Komisionit për përmbushjen e obligimeve që shpejtojnë integrimin në strukturat evropiane, ndërkaq njoftoi se sa i përket legjislacionit, ai është në harmoni të plotë me shtetet më të zhvilluara të BE-së. Ajo po ashtu njoftoi mysafirët edhe për përfaqësimin e gruas në politikë dhe ekzekutivin e vendit. Duke folur për sfidat e Komisionit që ajo udhëheq, ajo vuri në spikamë zbardhjen e fatit të të pagjeturve, i cili ende vazhdon të mbetet shumë i madh (1745). Duke lavdëruar bashkëpunimin e mirë të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, Novobërdali u angazhua që ky bashkëpunim të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Kryesuesi i Komisionit nga Maqedonia, Hajrulla Misini, nga ana e tij fillimisht falënderoi për pritjen e ngrohtë që u është bërë atyre gjatë vizitës, ndërsa u angazhua për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në mes të komisioneve, veçanërisht në segmente të ngjashme fushëveprimi. Ai me këtë rast përshëndeti edhe marrëveshjen në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve, ndërkaq, shprehu bindjen se ajo do të inkurajojë në arritjen e një marrëveshjeje edhe në mes të Republikës së Maqedonisë me shtetin grek.

 

Komisioni i Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut..., takoi Komisionin për Çështje Evropiane nga Parlamenti i Maqedonisë