Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë
E Enjte, 23.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë, të kryesuar nga Hajrula Misini, kryetar i këtij komisioni.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se vizitat dhe takimet e tilla janë në frymën e bashkëpunimit e të marrëdhënieve të mira që të dyja vendet, respektivisht parlamentet e tyre, kultivojnë midis tyre.
Kryetari Krasniqi tha se rritja e këtij bashkëpunimi imponon gjetjen e pikave të përafrimit ndërmjet popujve, në të mirë të të dyja shteteve e të rajonit në përgjithësi. Kryetari i Kuvendit vlerësoi se Ballkanit i duhet një politikë e re, ndryshe nga e kaluara, duke shikuar kah vlerat që bashkojnë njerëzit. Në funksion të kësaj, Krasniqi shfaqi gatishmërinë e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e çdo iniciative që do të krijonte një partneritet në rajon.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Maqedonisë, Hajrula Misini, u fokusua në proceset integruese të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat e tjera euro-atlantike, si dhe në sfidat e problemet që dalin gjatë kësaj rruge. Përkitazi me këtë, ai përmendi edhe pengesat që Maqedonia po has në këtë drejtim, si pasojë e kontesteve me Greqinë.
Në takim u vlerësua se duke pasur parasysh që Kosovën dhe Maqedoninë, si dy shtete fqinjë, i lidhin shumë interesa të përbashkëta, ato duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në çdo proces.