Lajmet e fundit
U prezantua Studimi gjinor në Kosovë
E Mërkure, 22.05.2013
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës mbajtën sot një tryezë në të cilën u prezantua "Studimi gjinor në Kosovë", të realizuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).
Me këtë rast kryetarja e GGD-së znj. Teuta Sahatqija, fillimisht përgëzoi agjencionin për këtë hulumtim duke theksuar se ky është një studim shumë i rëndësishëm, i cili është pikërisht në kohën kur do të shqyrtohet Ligji për Barazinë Gjinore. "Veçanërisht është e rëndësishme që të shikojmë cilat janë procedurat lidhur me zbatimin e ligjit. Po ashtu Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione do të jetë komision i përhershëm, i cili çdo ligj do ta shqyrtojë nga perspektiva gjinore", tha ajo.
Sahatqija më tej tha se me rastin e amendamentimit të ligjit duhet që në ligj të përfshihen edhe partitë politike, si dhe rëndësia e futjes së buxhetimit gjinor në mekanizmat ekzekutiv.
Më tej foli edhe znj Maria Melbing, udhëheqëse e SIDA-s. Ajo tha se ky agjencion ka përkrahur ketë studim duke e parë të nevojshëm edhe për faktin se Ligji për barazi gjinore dhe Programi për barazinë gjinore duhet të dihet se sa po zbatohet dhe se cilat janë efektet e tyre.
Më tej këtë studim e prezantoi znj Nicole Farnsëorth, e cila mes tjerash përmendi ngecjet në zbatimin e ligjit, sidomos te mekanizmat implementues. Ajo theksoi nevojën për harmonizimin e Ligjit për barazi gjinore me ligje tjera.
Në këtë diskutim morën pjesë edhe deputetja znj. Emiljia Redzepi, e cila tha se në Kosovë po bëhen ligje të mira, por duhet të ngrisim në nivel më të lartë demokracinë. Deputetja Blerta Deliu tha se edhe në agjendën evropiane qëndron barazia gjinore dhe promovimi i saj dhe se ne po ngecim me përfaqësim të gruas në ekzekutiv, sidomos në nivelin lokal. Kurse, deputetja Vjosa Osmani e theksoi rëndësinë rritjes së zbatueshmërisë së ligjit, për të cilin vlerësoi i është i mirë.