Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 22.05.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka rishqyrtuar Raportin financiar vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2012, me të dhënat shtesë, të kërkuara gjatë shqyrtimit të këtij raporti në njërën nga mbledhjet e kaluara të komisionit.
Kryetarja Hadërgjonaj tha se kjo agjenci ka sjell të dhënat shtesë, sipas kërkesës së komisionit. Anëtarët e komisionit përkrahën raportin dhe i rekomanduan seancës plenare miratimin e tij.
Në vazhdim, komisioni i rekomandoi administratës së Kuvendit që në pajtim me ligjin dhe në bazë të vendimit të Kryesisë, të procedojë me ndarjen e mjeteve për mbulimin e shpenzimeve për mbajtjen e Lutjeve të Mëngjesit në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, paraqiti hollësi nga ky organizim dhe kërkoi që mjetet që do të ndahen dhe shpenzohen për këtë ngjarje, të kompensohen gjatë rishikimit të buxhetit.
Komisioni rekomandoi gjithashtu, që Komisionit Hetimor Parlamentar t'i lejohet shuma prej 10 mijë eurosh, analoge me komisionet e përhershme (e paraparë me vendim të Kryesisë së Kuvendit). Ndërkaq, të gjitha kompensimet e tjera përcjellëse për kryetarin dhe anëtarët e komisionit, do të aplikohen sipas vendimeve përkatëse të Kryesisë.