Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Mërkure, 22.05.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua raporti vjetor i përfomancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2012.

Fillimisht, kryetari i komisionit, Ali Sadriu, sqaroi se në vitin 2011 dhe atë 2012 ka pasur 101 auditime, ndërsa prej tyre tha se janë përfunduar përafërsisht 80 për qind dhe se për 20 për qind të auditimeve janë angazhuar kompani të jashtme.
"Po vërej se ka një progres karshi vitit të kaluar, megjithatë vitin e ardhshëm duhet ta mbuloni tërë sferën", tha Sadriu.
U theksua se nga këto auditime ka pasur një raport të auditimit të Buxhetit të Kosovës, 87 auditime të Rregullsisë, dy auditime të Përfomancës, tetë auditime Menaxheriale dhe tri auditime të Fondit të Donatorëve. Prej tyre 35 kanë qenë me opinion të pakualifikuar, 32 me opinion të kualifikuar me theks të çështjes, 15 sosh me opinione të kualifikuara dhe 4 të kualifikuar me theks të çështjes, ndërsa me opinione të kundërta, tha se nuk ka pasur. Po ashtu, u sqarua se tri auditime kanë qenë me mohim të opinionit, që ka të bëjë me tri komunat e veriut.
"Krahasuar me vitin paraprak vërehet një progres, sepse këtë vit kemi vetëm 15 raporte me opinion të pakualifikuara karshi vitit paraprak, në të cilin kanë qenë 35. Kjo tregon se ka avancuar mënyra e prezantimit financiar në përgjithësi dhe kjo është tregues pozitiv", tha Sadriu.
Gjithsej janë dhënë 590 rekomandime, prej tyre 366 janë për nivelin qendror dhe 224 janë për nivelin lokal. Prej tyre vetëm 185 sosh janë adresuar apo 31 për qind, ndërsa pjesërisht janë adresuar 208 apo 35 për qind, sqaroi Sadriu.

Kompania BDO e cila ka kryer këtë auditim ka bërë gjithsej 6 rekomandime për ZAP-in. Me këtë rast përfaqësues të kësaj kompanie vlerësuan se gjatë auditimit nuk janë konstatuar shkelje materiale, me përjashtim të shkeljeve të procedurave. Ata theksuan se kërkojnë angazhim të ZAP-it për përmirësimin dhe eliminimin e të gjeturave të cilat janë më shumë të natyrës teknike.
Ndërsa, Auditori i Përgjithshëm Lars Lage Olofsson gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të komisionit, tha se problemet apo gabimet e vogla të gjetura nga auditori janë shumë të thjeshta për t'u trajtuar.
"Për mua kjo është në rregull dhe sipas konkluzionit shihet se në institucionin tim është një sistem i mirë i kontrollit të brendshëm dhe se ka një kuadër të menaxhimit të mirë të kontrollit. Kjo është gjëja më e rëndësishme", tha ai, duke u përgjigjur më tej në pyetjet e shumta të anëtarëve të komisionit, të cilët paraqitën vërejtje dhe ngritën shqetësime të ndryshime.

Pas një diskutimi të gjerë, anëtarët e komisionit përkrahën raportin vjetor të përfomancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2012, i cili raport procedohet në mbledhjen e Kuvendit. Megjithatë, disa nga anëtarët e komisionit theksuan se kompania BDO nuk e ka kryer pjesën e saj të punës mirë, ndërsa ata kërkuan që në të ardhmen të bëhet një auditim i përfomancës.

Më tej, komisioni diskutoi lidhur me raportin e trupës punuese që ka të bëjë me menaxhimin e sistemit të pasurisë. U tha se Ministria e Administratës Publike dhe Thesari akoma nuk kanë sjellë një raport që është kërkuar nga komisioni, në mënyrë që fundi i vitit të gjitha organizatat buxhetore t'i gjejë me një sistem unik. Andaj, për këtë çështje këtyre insistucioneve sërish do t'u dërgohet një shkresë.

Ndërkaq, diskutimi rreth kronologjisë së projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës të cilat nuk janë audituar nga ZAP-i, përfshirë këtu edhe Autostradën Morinë - Merdare, është shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike