Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës
E Mërkure, 22.05.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Këshillit , Bajram Ajeti. Pasi u falënderua për pritjen, Bajram Ajeti e njoftoi kryekuvendarin Krasniqi me veprimtarinë e këtij Këshilli , si dhe me punën e vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky organ në ushtrimin funksionit të tij, që ka të bëjë me zgjidhjen e ankesave të nëpunësve, si dhe sigurimin e respektimit të të gjitha rregullave e parimeve që rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.
Z. Ajeti theksoi se Këshilli është vazhdimisht në ngritje të performancës gjatë punës së tij. Është arritur të krijohet besimi te zyrtarët, mirëpo ky organ meriton më shumë përkrahje në punën e vet, sidomos kur është fjala për sigurimin e kushteve të punës, në aspektin e sigurimit të ambientit që mundëson punë sa më të mirë.
Kryekuvendari Krasniqi në fillim theksoi se është e nevojshme të krijohet një traditë e mirëfilltë punë në mbrojtje të ligjit, sepse vështirë po pranohet sundimi i ligjit."Askush nuk mund të largohet nga puna pa dokumentacion përkatës. Ligji është ai që duhet të mbrojë nëpunësin e shërbimit civil, ndaj edhe ky Këshill duhet të mbështetet vetëm në ligj në punën e tij. Ka edhe keqpërdorime të mëdha në konkurse", theksoi kryekuvendari Krasniqi. Ai i inkurajoi anëtarët e Këshillit për punën që po e bëjnë në mbështetje të Ligjit për Shërbimin Civil.